Botë

Qeveria e Netanyahut tregon dorën e hekurt ndaj palestinezëve

Forcat izraelite kanë vrarë së paku nëntë palestinezë gjatë bastisjes që u organizua në pikë të ditës kundër militantëve të xhihadit islamik. Që kur në pushtet erdhën partitë e ekstremit të djathtë, Izraeli ka ashpërsuar qëndrimet kundër palestinezëve

Forcat izraelite kanë vrarë së paku nëntë palestinezë, përfshirë edhe një grua 60-vjeçare, dhe kanë plagosur disa të tjerë gjatë bastisjes në Bregun e pushtuar Perëndimor.

E enjtja ishte dita më vdekjeprurëse në vitet e fundit.

Të shtënat me armë filluan kur ushtria izraelite në pikë të ditës organizoi bastisjen në kampin e refugjatëve Jenin. Është arsyetuar se të shtënat kanë nisur për të parandaluar një sulm kundër ushtarëve izraelitë.

Kampi, në të cilin grupi militant i xhihadit islamik palestinez ka bërë strehë, tash një vit ka qenë cak i bastisjeve nga ushtria izraelite.

Së paku njëri prej të vrarëve është identifikuar nga palestinezët si militant i grupit, mirëpo ishte e paqartë nëse të vrarët e tjerë kishin lidhje me grupet e armatosura.

Tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve janë ngritur që kur Izraeli nisi bastisjet e natës në Bregun Perëndimor gjatë pranverës së vitit të kaluar.

Konflikti është përkeqësuar gjatë këtij muaji, kur në krye të Qeverisë izraelite erdhën partitë e ekstremit të djathtë që kanë premtuar ashpërsim të qëndrimeve kundër palestinezëve.

Vrasja e palestinezëve ka ndodhur pak ditë para vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili pritet të bëjë presion për të përmirësuar kushtet e palestinezëve.

Presidenti palestinez me përkrahje ndërkombëtare, Mahmoud Abbas, ka shpallur tri ditë zie për palestinezët e vrarë, teksa zyrtarët i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj qëndrimeve të Izraelit.

Mediat palestineze kanë publikuar fotografi të një ndërtese dykatëshe dhe gjësende të forta nëpër rrugë. Ushtria izraelite ka thënë se në këtë ndërtesë ka ndërhyrë për të shpërthyer eksplozivët që po përdoreshin nga të dyshuarit. Pas tërheqjes së ushtrisë nga zona, disa automjete janë shkatërruar nga palestinezët.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka deklaruar se ekipet emergjente nuk kanë mundur të arrijnë me kohë në vendin e ngjarjes shkaku i luftimeve, teksa Akram Rajoub, kryetar i Jeninit, ka thënë se ushtria izraelite ua ka pamundësuar ekipeve emergjente evakuimin e të plagosurve.

Dy zyrtarët e kanë akuzuar ushtrinë për përdorim të gazit lotsjellës në pediatrinë e spitalit, duke shkaktuar probleme të mëdha te fëmijët. Shumë gra i bartnin fëmijët nëpër korridoret e spitalit.

Arsyetimi i izraelitëve

Ushtria izraelite ka njoftuar se forcat e saj kanë mbyllur rrugët për të lehtësuar bastisjen, por kjo ka vështirësuar punën e ekipeve të shpëtimit dhe gazi lotsjellës kishte arritur në spital për shkak se luftimet po zhvilloheshin afër.

Spitali i Jeninit e ka identifikuar gruan e vrarë si Magda Obaid dhe ushtria izraelite ka thënë se është duke hetuar raportet për vdekjen e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë më herët ka identifikuar njërin nga të vdekurit si Saeb Azriqi, 24 vjeç, i cili u dërgua në spital në gjendje kritike pasi u qëllua dhe vdiq nga plagët e marra. Ndërkaq, Brigada e Martirëve të Al-Aksas - milici e armatosur e lidhur me Fatahun, parti politike laike që kontrollon Autoritetin Palestinez – ka thënë se i vrari, Izz al-Din Salahat, ishte militant. Ministria ka njoftuar se të paktën 20 persona u plagosën.

“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë palestinezët kundër kësaj qeverie ekstremiste të krahut të djathtë dhe të mbrojë qytetarët tanë”, ka thënë Rajoub, guvernator i Jeninit.

I dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, ka deklaruar se ishte “thellësisht i alarmuar dhe i pikëlluar” nga dhuna dhe bëri thirrje për qetësi. Dënimet erdhën nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Turqia, e cila kohët e fundit rivendosi lidhjet e plota diplomatike me Izraelin, si dhe nga Jordania fqinje dhe grupi militant islamik “Hamas” që sundon Rripin e Gazës.

Tensionet për dhunën në Bregun Perëndimor janë përhapur në të kaluarën në Gaza.

“Përgjigjja e rezistencës ndaj asaj që ndodhi sot në kampin Jenin nuk do të vonohet”, ka paralajmëruar zyrtari i lartë i “Hamasit”, Saleh Arouri.

Dega e Xhihadit Islamik në enklavën bregdetare ka luftuar vazhdimisht kundër Izraelit, së fundmi në një përleshje të ashpër treditore verën e kaluar në të cilën mbetën të vrarë dhjetëra palestinezë.

Gati 150 palestinezë u vranë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor vitin e kaluar, duke e bërë vitin 2022 më vdekjeprurësin në këto territore që nga viti 2004, sipas grupit izraelit të të drejtave “B’Tselem”. Deri më tani këtë vit, 29 palestinezë janë vrarë.

Izraeli ka deklaruar se shumica e të vdekurve ishin militantë. Por të rinjtë që protestojnë kundër pushtimit dhe të tjerë që nuk janë përfshirë në konfrontime janë vrarë gjithashtu. Deri më tani këtë vit, duke mos përfshirë të enjten, një e treta e palestinezëve të vrarë nga trupat izraelite ose nga civilët kishin lidhje me grupe të armatosura. Rreth 30 persona u vranë në sulmet palestineze kundër izraelitëve vitin e kaluar.

Izraeli ka thënë se sulmet kanë për qëllim të çmontojnë rrjetet militante dhe të pengojnë sulmet e grupeve militante. Palestinezët janë arsyetuar se izraelitët po forcojnë më tej pushtimin 55-vjeçar të Bregut Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi së bashku me Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Palestinezët pretendojnë se në ato territore duhet shpallur shteti i tyre.

Qeveria e re e ekstremit të djathtë të Izraelit, e kryesuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe e mbështetur nga partitë ultranacionaliste dhe ultraortodokse, është zotuar të vendosë zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor në krye të listës së saj prioritare dhe tashmë ka shpallur një sërë hapash ndëshkues kundër palestinezëve.

Izraeli ka krijuar tashmë dhjetëra vendbanime në Bregun Perëndimor, ku tani jetojnë rreth 500 mijë njerëz.

Palestinezët dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i shohin vendbanimet si të paligjshme dhe pengesë për paqen, edhe pse negociatat për t'i dhënë fund konfliktit kanë qenë të zbehta për më shumë se një dekadë.

Përktheu: Gent Mehmeti