Një 14-vjeçareje me aftësi të kufizuara e cila është përdhunuar nga xhaxhai i saj, i është refuzuar një abort në Poloni, dhe kjo ka shkaktuar zemërim në shtetin konservativ.
Kombi katolik ka disa prej ligjeve më strikte të abortit në Evropë, dhe mjekët madje mund të refuzojnë t'i japin ato për arsye etike, një ligj i cili është kritikuar nga aktivistët e të drejtave të grave, shkruan Daily Mail.
Përfundimi i shtatzënisë në Poloni është legal vetëm kur ajo është rezultat i një akti kriminal, siç është dhunimi apo incesti, ose kur shëndeti i gruas është në rrezik.
Mirëpo, pavarësisht se vajza ishte viktimë e abuzimit, dy spitale të ndryshme në rajonin e saj, në Podlasie, kanë refuzuar ta trajtojnë e madje edhe t’i tregojnë se ku mund të kryejë abort legal.
Vajza e cila nuk e ka kuptuar se ishte shtatzënë, është dërguar në spital nga tezja e saj. Ajo ka thënë se mjekët e kanë trajtuar atë “në mënyrë brutale dhe johumane”.
Tezja pretendonte se posedonte dokumente nga një prokuror ku flitet për dhunimin që i ka ndodhur dhe se një abort do të ishte i ligjshëm, mirëpo mjekët prapë se prapë e kanë refuzuar.
“Jo këtu, shkoni diku tjetër. Nuk e dimë se ku. Nuk është ky problemi ynë”, ka cituar tezja t’i kenë thënë mjekët.
Ajo ka kontaktuar më pas organizatën “Federa” e cila i ka ndihmuar që ta dërgojë mbesën e saj në Varshavë, ku aborti është kryer në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme.
Mirëpo refuzimi fillestar i mjekëve lokalë ka nxitur zemërim në kombin e devotshëm të krishterë, ku 92 për qind e popullatës janë katolikë.