Botë

Irani sanksionon evropianët për shkak të kritikave që mori për shtypjen e protestave

Irani të mërkurën ka njoftuar se ka sanksionuar më shumë se 30 individë dhe subjekte evropiane, duke e arsyetuar këtë si përgjigje ndaj sanksioneve të fundit të Evropës kundër zyrtarëve të lidhur me shtypjen e protestave mbarëkombëtare, raportoi AP.

Të sanksionuarit përfshijnë prokurorin e përgjithshëm të Britanisë dhe komandantin e ushtrisë, disa deputetë evropianë dhe zyrtarë ushtarakë evropianë. Po ashtu, intelektualin francez Bernard-Henri Levy dhe tre punëtorë të gazetës satirike “Charlie Hebdo”.

Sanksionet do të ndalojnë udhëtimet për në Iran dhe do t’i lejojë autoritetet që t’i bllokojnë llogaritë bankare dhe konfiskimin e pronave në Iran.

Kjo lëvizje vjen dy ditë pasi BE-ja zgjeroi sanksionet e saj duke bërë cak dhjetëra zyrtarë iranianë dhe organizata të lidhura me shtypjen e dhunshme të protestave në Iran.