Botë

Erdogan i bën thirrje Putinit për një armëpushim të njëanshëm

Presidenti turk Reccep Tayip Erdogan ka biseduar në telefon me presidentin rus Vladimir Putin. Një nga temat e bisedës mes tyre ishte lufta në Ukrainë, shkruan BBC.

Ata diskutuan për marrëdhëniet turko-ruse, veçanërisht për energjinë, si dhe për çështjet rajonale, për luftën në Ukrainë dhe Sirinë, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit turk.

Në bisedë, Erdogani vuri në dukje se negociatat për luftën në Ukrainë sollën rezultate pozitive, si iniciativa për krijimin e një korridori gruri, shkëmbimi i të burgosurve dhe krijimi i një zone të sigurt rreth termocentralit bërthamor të Zaporozhye.

Presidenti turk ka thënë se thirrjet për paqe dhe negociata duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një "vizion i një zgjidhjeje të drejtë".

Sa i përket çështjeve energjetike, Erdogan ka thënë se Federata Ruse dhe Turqia kanë forcuar dhe vazhdojnë të forcojnë infrastrukturën për krijimin e një qendre të gazit natyror në Turqi dhe deklaroi se janë të përkushtuar për finalizimin e udhërrëfyesit dhe marrjen e hapave konkretë për zbatimin e këtij projekti sa më shpejt të jetë e mundur.