Gjykata e Lartë e Nepalit ka urdhëruar të mërkurën lirimin nga burgu të Charles Sobhraj, vrasësit famëkeq francez, nga i cili u inspirua edhe seriali televiziv “The Serpent”.
Gjykata e mori këtë vendim për shkak të moshës dhe shëndetit të tij, sipas zëdhënësit të gjykatës Bimal Paudel, raportoi CNN-i të mërkurën.
Sobhraj, 78 vjeç, ka vuajtur një dënim të përjetshëm në një burg të Nepalit për vrasjen e dy turistëve në vitin 1975, por shumë nga vrasjet e tij të supozuara mbeten të pazbardhura.
Një trup gjykues prej dy gjyqtarësh i Gjykatës së Lartë urdhëroi Qeverinë që ta lirojë atë menjëherë dhe ta deportojë në "vendin e tij" brenda 15 ditëve.
“Sobhraj vuan nga një sëmundje e zemrës dhe ka nevojë për një operacion në zemër të hapur”, ka deklaruar gjykata.
I lindur në një rajon të administruar nga Franca në Vietnam, Sobhraj është burgosur për herë të parë në Paris në vitin 1963 për vjedhje, por vazhdoi të akuzohet për kryerjen e krimeve në një listë vendesh: Francë, Greqi, Turqi, Iran, Afganistan, Pakistan, Nepal, Indi, Tajlandë dhe Malajzi.