Botë

Dyshime për korrupsion në Parlamentin Evropian, merret në pyetje nënkryetarja greke

Eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili, e cila është edhe një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, është marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me një hetim mbi korrupsionin e dyshuar që përfshin "një vend të Gjirit", raportuan AFP dhe gazeta belge “Le Soir”, duke cituar prokurorinë.

Burime të Parlamentit Evropian i thanë Euronews se zyra e Kailit ishte vulosur nga policia e Belgjikës, së bashku me ato të dy eurodeputetëve socialistë belgë, Maria Arena dhe Marc Tarabella.

Arena mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se hetimi përfshinte asistentin e saj.

“Vula u vunë sepse ajo punoi për OJQ-në Fight Impunity, besoj, në 2019-ën”, tha Arena për Le Soir.

“Nuk ka lidhje me faktin që ajo është asistentja ime”, ka shtuar ajo.

Katër arrestime ishin bërë tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.

Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se ajo ishte "përjashtuar" nga anëtarësia e saj.

“Socialistët dhe Demokratët (S&D) në Parlamentin Evropian pezulluan anëtarësimin e Kailit me efekt të menjëhershëm, sipas një deklarate të ndarë nga grupi.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro para në dorë dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në sulmin e së premtes. Gjatë bastisjes u kontrolluan gjithsej 14 vende.

Zyra e prokurorit nuk e përmendi vendin në qendër të hetimit. Deklarata e saj për shtyp i referohej vetëm një "shteti të Gjirit". Le Soir e identifikoi vendin si Katar.

Përfituesit janë personalitete me "një pozicion të rëndësishëm politik ose strategjik" në Parlamentin Evropian.

Katërshja e arrestuar besohet se janë të gjithë shtetas italianë: drejtori i OJQ-së Jo Paqe pa Drejtësi Niccolò Figà-Talamanca, udhëheqësi i sindikatave Luca Visentini, ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri, dhe asistent parlamentar në grupin S&D dhe partneri i Kailit, Francesco Giorgi, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Kaili, 44 vjeç, është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014.

Të kontaktuara nga Euroneës, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se "Parlamenti Europian nuk komenton procedurat gjyqësore".