Botë

Rumania e Bullgaria nuk pranohen në zonën Schengen

Descriptive Text

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë votuar për pranimin e Kroacisë në zonën Schengen, por kanë refuzuar Rumaninë dhe Bullgarinë.

Votimi u prit me lehtësim në Zagreb, por zemërim dhe shqetësim në Bukuresht dhe Sofje.

Komisioni Evropian kishte mbështetur të tri vendet që plotësonin kriteret e nevojshme për t'u bashkuar me zonën, e cila përfshin 420 milionë njerëz, raportoi BBC-ja të enjten.

Ministrja e Jashtme gjermane ka thënë se kjo ishte një ditë e keqe për Evropën.

Zhgënjim ka përjetuar edhe komisionerja e çështjeve të brendshme të BE-së.

“Unë jam gjithashtu e zhgënjyer”, ka thënë Ylva Johansson.

Kroacia u bashkua me BE-në në vitin 2013, ndërkaq Rumania dhe Bullgaria u bënë shtete anëtare gjashtë vjet më parë.

E krijuar në vitin 1985, zona Schengen lejon njerëzit dhe mallrat të udhëtojnë lirshëm, zakonisht pa treguar dokumente udhëtimi ose doganore. Zona përfshin 22 nga 27 shtetet e BE-së, si dhe Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Austria dhe Holanda votuan kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, duke përmendur shqetësimet se të dy shtetet ishin të buta ndaj migracionit të paligjshëm. Kundërshtimi më i ashpër erdhi nga Austria.

“Nuk është e drejtë që një sistem që nuk funksionon në shumë vende të zgjerohet në këtë kohë”, ka thënë ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, duke shpjeguar veton e vendit të tij.

Si arsyeja kryesore për mbajtjen e Rumanisë dhe Bullgarisë jashtë Schengenit, qeveria në Vjenë përmendi një rritje të shpejtë të numrit të emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Austri përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, udhëheqësit politikë në Rumani dhe Bullgari argumentojnë se relativisht pak kalojnë territorin e tyre dhe se përpjekja e tyre për t’u bashkuar me Schengenin është prishur për arsye politike.

Agjencia Kufitare e BE-së “Frontex” ka raportuar 128,000 “hyrje të parregullta” në BE deri më tani këtë vit nga Ballkani Perëndimor, një rritje prej 77 për qind në krahasim me vitin 2021, me 22,300 vetëm në tetor. Këto shifra përfshijnë përpjekje të shumta nga të njëjtët njerëz.

Qeveria austriake thotë se 75,000 migrantë të parregullt janë aktualisht në shtetin e saj. Rreth 40 për qind janë nga India dhe Tunizia, 40% e tjerë janë nga vendet e udhëhequra nga Afganistani, Pakistani dhe Siria.