Botë

Ish-zëvendëspresidenti insiston në mbrojtjen e Kushtetutës amerikane

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka reaguar ndaj thirrjes së Donald Trumpit për të hequr disa pjesë të Kushtetutës amerikane në lidhje me gënjeshtrën e tij se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Ish-presidenti amerikan këtë thirrje e ka bërë në rrjetin e tij social.

Trumpi ka thënë se një mashtrim i këtij lloji dhe përmasash lejon fundin e të gjitha ligjeve dhe neneve, madje edhe të Kushtetutës. Ai ka insistuar se zgjedhjet ishin të manipuluara. Mirëpo zëvendësi i tij, Mike Pence, ka thënë se të gjithë ata që duan të angazhohen në punët publike dhe t’i shërbejnë shtetit, duhet ta bëjnë të qartë se përkrahin dhe mbrojnë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pence ka thënë se është e rëndësishme që liderët e dy partive amerikane ta bëjnë të qartë se përkrahin Kushtetutën. Trumpi është ish-presidenti që dy herë është hetuar për shkarkim, ndërsa mandatin e mbylli me trazirat e mëdha të janarit 2021. Ai gjithashtu përballet me hetime penale, duke përfshirë disa që mund të çojnë në ngritjen e aktakuzave. Së fundmi është duke u hetuar për dokumentet sekrete që i mbante në vilën e tij në Mar-a-Lago të Floridas. Këto dokumente janë sekuestruar nga FBI-ja.