Botë

Arrestohen 25 persona në Gjermani, dyshohen për tentim grusht shteti

Policia ka arrestuar 25 persona në bastisje nëpër Gjermani nën dyshimin se po bënin planifikim për ta rrëzuar Qeverinë, raporton BBC.

Raportohet se grupi i të djathtës ekstreme dhe ish-figura ushtarake kishin planifikuar të futeshin në ndërtesë të Parlamentit, Reichstag, dhe të merrnin pushtetin.

Një gjerman 71-vjeçar, të cilit po i referohen si princi Heinrich XIII, dyshohet se ka qenë figura qendrore prapa planeve.

Arrestimet janë bërë nëpër 11 shtete gjermane, ka njoftuar prokuroria federale. Në mesin e të arrestuarve është një në Kitzbuhel të Austrisë dhe një në Perugia të Italisë. 

Të dyshuarit janë anëtarë të grupit ekstrem Reichsburger, që gjatë ka qenë nën vëzhgim nga policia gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Po ashtu ata refuzojnë ta njohin Gjermaninë si shtet modern.

Afro 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që kanë planifikuar ta rrëzojnë republikën dhe zëvendësojnë me një model siç ishte Gjermania e vitit 1871.

Në aksionin u përfshinë rreth 3000 forca policore, ndërsa kontrolluan 137 objekte në pronësi të mbi 50 të dyshuarve.

Prokurorët thonë se të arrestuarit pretendohet se vitin e kaluar kanë formuar “një grup të organizuar terrorist me synim për të përmbysur rendin ekzistues shtetëror në Gjermani dhe ta zëvendësojnë atë me një formë të tyre të shtetit”.

Të dyshuarit ishin të vetëdijshëm se synimin mund ta arrinin vetëm me forcë, thonë prokurorët.

Disa nga të dyshuarit kanë bërë “plane konkrete” për t’u futur në Parlament me një grup të vogël të armatosur.

“Detajet e këtij plani ende duhet të hetohen”, thuhet nga Prokuroria, e vetëm pastaj do të përcaktohet nëse do të ngrihet akuzë për tradhëti ndaj ndonjërit të dyshuar.

Prokurorët besojnë se anëtarët e grupit po ashtu besojnë se Gjermania udhëiqet nga i ashtuquajturi “shtet i thellë”, pretendime të njëjta të pabazuara për SHBA-në, që ishin bërë nga ish-presidenti Donald Trump.

Prokuroria ka identifikuar dy liderët e këtij zinxhiri, Heinrich XIII P.R. dhe Ruediger v.P. “Der Spiegel” raporton se Heinrich 71-vjeçar është anëtar i një familje fisnike gjermane, ndërsa Ruediger 69-vjeçar është ish-parashutist.

Prokurorët federalë gjermanë thonë se Heinrich, të cilin grupi planifikonte ta bënte lider të ri të Gjermanisë, ka kontaktuar me zyrtarë rusë me synim për të negociuar një rend të ri në shtet, pasi që të rrëzohet Qeveria gjermane. Ai pretendohet se u asistua në këtë nga një ruse, Vitalia B.

“Sipas hetimeve aktuale nuk ka indikacione se personat e kontaktuar, janë përgjigjur pozitivisht ndaj kësaj kërkese”, thuhet nga prokurorët.

Një person tjetër që u arrestua të mërkurën ishte Birgit M.-W. “Der Spiegel” e ka identifikuar atë si gjykatëse dhe ish-deputete nga partia e krahut të djathtë “Alternative for Germany” (AfD).

VIDEO: