Kompania familjare e pasurive të paluajtshme e ish-presidentit amerikan Donald Trump është shpallur fajtore për mashtrim tatimor, shkruan CNN.
Kompania e Trumpit u dënua për të gjitha akuzat të martën pas dy ditësh diskutimesh të jurisë në New York. Biznesi është sinonim i ish-presidentit amerikan, por as Trumpi dhe as anëtarët e familjes së tij nuk janë gjykuar personalisht.
Duke u zotuar se do ta apelojë vendimin, Trumpi ka thënë se ishte i zhgënjyer dhe përsëri e përshkroi rastin si një "gjueti shtrigash".
Kompania u dënua për pasurimin e drejtuesve të saj të lartë me përfitime jashtë librit financiar për më shumë se një dekadë.
Përfitimet e pataksuara përfshinin vetura luksoze dhe shkollim për shkollat private, thanë prokurorët, duke rezultuar në paga më të ulëta dhe për rrjedhojë uljen e taksave që kompania duhej t'i paguante shtetit.
Pritet që kompania të përballet me një gjobë prej rreth 1.6 milionë dollarësh, si dhe të përballet me vështirësi në sigurimin e kredive dhe financimit në të ardhmen.
Trumpi e ka kritikuar më parë gjyqin dhe e ka quajtur atë të motivuar politikisht. Ai gjithashtu sulmoi ish-drejtorin e kompanisë për një kohë të gjatë, Allen Weisselberg, pasi ai u deklarua fajtor në gusht dhe dëshmoi kundër operacioneve të kompanisë.
Në deklaratën e tij të fundit, i indinjuar nga vendimi, ish-udhëheqësi republikan vuri në dyshim se pse Organizata Trump duhet të ndiqet penalisht për "sjelljen personale" të Weisselbergut - duke e akuzuar atë për "kryerje të mashtrimit fiskal në deklaratat e tij të taksave personale".
“Ky rast është i paprecedentë dhe është një vazhdim i gjuetisë më të madhe politike të shtrigave në historinë e vendit tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se New Yorku tani është “një vend i vështirë për Trump”.