Botë

Blinken: SHBA-ja as nuk e inkurajoi dhe as nuk ia mundësoi Kievit të godiste brenda Rusisë

Uashingtoni as nuk e ka inkurajuar dhe as nuk ia ka mundësuar Ukrainës t’i godasë objektivat brenda Rusisë, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të mërkurën, shkruan BBC.

Blinkeni u kundërpërgjigj pasi Moska akuzoi Kievin për kryerjen e sulmeve me dronë në tri fusha ajrore ruse, dy prej tyre qindra kilometra nga Ukraina.

“Ne as nuk i kemi inkurajuar dhe as ua kemi mundësuar ukrainasve që të godasin brenda Rusisë, por gjëja e rëndësishme është të kuptojmë se çfarë po përjetojnë ukrainasit çdo ditë me agresionin e vazhdueshëm rus kundër vendit të tyre”, ka thënë Blinkeni.

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar vazhdimisht SHBA-në dhe aleatët e saj që të mos kalojnë “vijat e kuqe” duke furnizuar Ukrainën me armë me rreze të gjatë.

Aleanca ushtarake e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka përjashtuar mundësinë e ofrimit të armëve të tilla për Kievin, mes shqetësimeve se kjo mund të çojë në një përshkallëzim të madh me një Rusi me armë bërthamore që pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Dy shpërthime në aeroporte ruse u raportuan të hënën, në rajonet Ryazan dhe Saratov. Vendet strehojnë bombardues strategjikë të përdorur për të kryer sulme të rregullta raketore në infrastrukturën kritike të energjisë të Ukrainës.

Rusia ka thënë se një tjetër sulm ishte të martën, në rajonin Kursk që kufizohet me Ukrainën.

Sulmi i fundit raketor i Rusisë në Ukrainë ishte të hënën, kur 70 raketa u hodhën në objektiva në të gjithë vendin. Katër persona u vranë, thanë zyrtarët lokalë.

Miliona njerëz në të gjithë vendin tani janë pa energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm, duke rritur frikën se njerëzit mund të vdesin nga hipotermia në temperatura nën zero.