Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbajtur një konferencë për shtyp të martën pas ditës së parë të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bukuresht, duke përditësuar edhe ndihmën që po ia ofrojnë Ukrainës, e cila kohëve të fundit është përballur me sulme ruse në infrastrukturë civile.
Gjatë ditës u mbajtën një sërë takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe, ndërsa Stoltenbergu ka thënë se edhe pas bisedimeve të sotme mbetet i njëjti qëndrim – aleatët janë me Ukrainën.
"Në këtë luftë, Rusia po godet infrastrukturën civile dhe po përpiqet ta lërë Ukrainën pa energji elektrike, ujë dhe burime energjie. NATO nuk është në luftë me Rusinë, por do të vazhdojë të ofrojë mbështetje", ka thënë Stoltenberg, raporton Sky News.
Ai shpjegoi gjithashtu se si në këtë takim është rënë dakord për një paketë të re ndihme.
"Ne kemi rënë dakord për një paketë të re ndihme që nuk do të jetë e llojit ushtarak. Ndihma do të përfshijë gjeneratorët e karburantit dhe energjisë elektrike. Gjithashtu sot u mbajt një takim me anëtarët e G7 dhe u theksua se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë në afatgjatë”, shtoi ai.
Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, Stoltenbergu vuri në dukje paradoksin e gjithë situatës në Ukrainë.
"Situata duket paradoksale, por është kështu. Duke dërguar ndihma ushtarake, ne garantojmë paqen afatgjatë", ka thënë Stoltenberg.