Botë

Instituti amerikan: Rusët po i ekzagjerojnë sukseset në Donetsk

Siria e gatshme të njohë pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut

Forcat ruse po i ekzagjerojnë arritjet e tyre pranë Bakhmutit, në rajonin e Donetskut dhe përparimet pranë qytetit nuk tregojnë ende rrethim të afërt. Kjo u bë e ditur të martën nga analistët e Institutit Amerikan për Studimin e Luftës, që thanë se rusët po japin informata të pavërteta.

Të hënën, udhëheqësi i vetëshpallur i rajonit të Donetskut, Denys Pushylin, deklaroi se trupat ruse ishin afër rrethimit të Bakhmutit.

“Situata mbetet e vështirë, por njësitet tona, veçanërisht njësia Wagner, po ecin përpara”, deklaroi ai, duke shtuar se kanë përparuar në një mjedis më operacional.

Pamjet e lokacionit ku rusët tregojnë se kanë kapur disa fshatra, në një distancë prej 5 deri në 30 kilometra, sipas Institutit, nuk tregojnë asgjë “që rusët janë pranë pushtimit të Bakhmutit”.

“Edhe nëse trupat ruse më të vërtetë kanë arritur të marrin kontrollin e vendbanimeve në jug të Bakhmutit, këto suksese i kërcënojnë rrugët kritike për në Siversk dhe Kostiantynivka, që janë rrugë që çojnë drejt komunikimit tokësor me Ukrainën. Pozicionet e pretenduara nga pala ruse, çojnë drejtpërdrejt në strukturat e përgatitura të vetëmbrojtjes ukrainase në Bakhmut dhe në fshatrat e saj satelitore perëndimore dhe veriore”.

Bakhmuti është cilësuar zonë e rëndësishme e komunikimit me Kievin zyrtar. Në këtë zonë zhvillohen luftime tash e disa muaj, por Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë bërë të ditur se po e mbrojnë me ngulm atë pjesë.