Ukraina, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, është e armatosur me armë të prodhimit rus, përfshirë edhe raketat kundërajrore. Ndërkaq ka siguruar armatim shtesë të Rusisë duke mposhtur forcat pushtuese të Kremlinit. Raketa kundërajrore, që kishte për cak raketën ruse, ka rënë në territorin polak duke lënë të vdekur dy persona
Anëtarja e NATO-s, Polonia, dhe shefat e tjerë të Aleancës ushtarake të mërkurën kanë bërë të ditur se sulmi ajror në një fshat polak në të cilin mbetën të vdekur dy persona nuk dukej si sulm i qëllimshëm dhe se mbrojtja ajrore e fqinjës, Ukrainës, me shumë gjasë ka lansuar raketën e periudhës sovjetike kundër raketave të Rusisë që kishin cak rrjetin energjetik ukrainas.
“Mbrojtja e Ukrainës kishte lansuar raketa në drejtime të ndryshme dhe me shumë gjasë një prej këtyre raketave ka rënë në territorin polak”, ka thënë presidenti polak, Andrzej Duda. “Nuk ka absolutisht asgjë për të thënë se ky ishte sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim me 30 shtetet anëtare në Bruksel, ka përkrahur gjetjet preliminare të Polonisë. “Nuk kemi indikacion se ishte rezultat i sulmit të qëllimshëm”, ka thënë Stoltenberg.
Vlerësimet fillestare të së martës paralajmëronin për përkeqësim më të madh të situatës që prej fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Nëse Rusia qëllimisht do të kishte sulmuar Poloninë, do të mund të rrezikonte përfshirjen e NATO-s në konflikt.
Megjithatë, Stoltenbergu dhe liderë të tjerë tërthorazi kanë fajësuar luftën e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë.
“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia ka përgjegjësinë më të madhe”, ka thënë Stoltenberg.
Para vlerësimeve polake dhe atyre të NATO-s, presidenti Joe Biden kishte deklaruar se ka pak gjasa që Rusia të ketë lansuar raketën në drejtim të Polonisë. “Do të sigurohem se do të zbulojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur”, ka thënë presidenti amerikan.
Tre zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se vlerësimet preliminare treguan se raketa ishte lansuar nga forcat ukrainase për të asgjësuar një raketë ruse. Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti për shkak se nuk kanë qenë të autorizuar për të folur në lidhje me këtë rast.
Këto vlerësime dhe komentet e Bidenit në Samitin e G-20-s në Indonezi kanë qenë në kontradiktë me informacionet e së martës që u publikuan nga një zyrtar i inteligjencës amerikane që ka deklaruar se raketat ruse kishin rënë në Poloni.
Ukraina, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, është e armatosur me armë të prodhimit rus, përfshirë edhe raketat kundërajrore. Ndërkaq ka siguruar armatim shtesë të Rusisë duke mposhtur forcat pushtuese të Kremlinit.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka reaguar kundër sulmeve ruse në qendrat energjetike, përfshirë ato në rajonin perëndimor në kufi me Poloninë. Ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur se 77 nga 90 raketat ruse janë lëshuar në drejtim të stacioneve energjetike së bashku me 11 dronë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka përgëzuar SHBA-në për mënyrën se si ka reaguar ndaj rastit të së martës mbrëma, ku një raketë ka rënë në Poloni duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Duke folur në konferencë për media, Peskov ka përgëzuar reagimin e SHBA-së, e veçanërisht të presidentit amerikan, Joe Biden, që tha se “duket e pamundur” që raketa është e Rusisë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se bombardimet e fundit në Ukrainë janë kryer në shënjestra brenda vendit dhe ishin së paku 35 kilometra larg kufirit të Polonisë.
Megjithatë, Ukraina ka qenë cak i sulmeve të njëpasnjëshme raketore të Rusisë edhe të martën. Presidenti polak ka njoftuar se raketa me shumë mundësi është e llojit S-300 të prodhuar në periudhën sovjetike.
“Ishte shpërthim i fuqishëm dhe zhurmë e tmerrshme”, ka thënë Ewa Byra, drejtoreshë e shkollës në fshatin Przewodow që u godit nga raketa. Ajo ka thënë se i njihte dy viktimat – njëri ishte bashkëshorti i një punëtoreje të shkollës dhe tjetri babai i një ish-nxënësi.
Banorja tjetër 24-vjeçare, Kinga Kancir, ka thënë se njëri prej viktimave po punonte në fabrikën e tharjes së grurit, ndërkaq tjetri si rojë e fabrikës.
Është e vështirë për ta pranuar. Gjithçka ishte normale kur krejt papritur fshati është sensacion i botës”, ka thënë Kancir.
Në Evropë, anëtaret e NATO-s, Gjermania dhe Britania e Madhe, kanë bërë thirrje për hetime të sulmit me vëmendje te kritikat ndaj Moskës.
“Kjo nuk do të ndodhte pa luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa raketat që tani po godasin ashpër infrastrukturën ukrainase”, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Ky është një realitet i ashpër i luftës së Putinit”, ka thënë kryeministri britanik, Rishi Sunak.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e ka cilësuar rënien e raketës si përshkallëzim shumë të madh. Ndërkaq në fundin tjetër të spektrit, Kina ka bërë thirrje për qetësi.
Dëmi në Ukrainë nga sulmet ajrore është i dukshëm dhe gjysma e shtetit është pa energji elektrike. Zelenskyy ka thënë se 10 milionë njerëz kanë humbur energjinë elektrike, por ka bërë të ditur se gjatë të mërkurës tetë milionë prej tyre janë furnizuar me energji elektrike.
Nga sulmet e mëparshme ruse, më shumë se 40 për qind e infrastrukturës së energjisë elektrike është shkatërruar në Ukrainë.
Ukraina ka bërë të ditur se bombardimet e së martës ishin më të mëdhatë deri më tani. Papa Françesku ka thënë se i ka shkaktuar shqetësim dhe dhimbje të madhe bombardimi i së martës.
Instituti për Studime të Luftës me bazë në Washington ka thënë se rrëzimi i shumë raketave ruse nga ana e Ukrainës ilustron përmirësimin e mbrojtjes ajrore që është bërë gjatë muajit tetor. Ukraina është furnizuar me të madhe me sistemet e sofistikuara ajrore të Perëndimit. Suedia të mërkurën ka bërë të ditur se sistemi ajror që posedon do të jetë pjesë e pakos së ndihmave ushtarake që kapin vlerën e 360 milionë dollarëve, të cilat janë nisur drejt Ukrainës.
Deri më tani SHBA-ja është furnizuesja më e madhe e Ukrainës duke ofruar 18.6 miliardë dollarë armë dhe pajisje. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se rrjedha e armatimit amerikan do të vazhdojë edhe gjatë dimrit me qëllim që Ukraina të vazhdojë të përforcohet dhe të avancojë në fushën e betejës.
Nga bombardimet e së martës një person ka vdekur në Kiev. Sulmet janë bërë pas euforisë që shpërtheu në Ukrainë me kthimin e kontrollit në qytetin e Khersonit.
Bombardimet ruse ndikuan edhe në Moldavi. Në ish-shtetin sovjetik pati mungesë të madhe të energjisë elektrike shkaku i bombardimeve në Ukrainë. Raketat shkëputën linjën e furnizimit për shtetin e vogël.
Me betejat që po humb vazhdimisht, Rusia tani ka për cak stacionet energjetike të Ukrainës, me shpresë se mungesën e rrymës do ta përdorë si armë për të lënë ukrainasit në të ftohtë dhe terr.