Hongu-Kongu do të japë falas 500,000 bileta fluturimi në përpjekje që të shtyjë përpara turizmin e goditur nga pandemia COVID-19.
Vendi ka hequr shumicën e masave anti-COVID në javët e fundit.
Megjithatë, shumë linja ajrore po kanë vështirësi që t’i rikthejnë fluturimet si në nivelin para pandemisë, raportoi të enjten BBC.
Të mërkurën, linja ajrore britanike “Virgin Atlantic” ka thënë se do ta ndalojë operimin në Hong Kong për shkak të problemeve të lidhura me luftën në Ukrainë.
Drejtori ekzekutiv i Bordit të Turizmit të Hong Kongut, Dane Cheng, tha se biletat falas do të shpërndahen vitin e ardhshëm për udhëtarët që hyjnë dhe dalin nga aeroporti i qytetit.
Pushtimi rus në Ukrainë ka bërë që disa linja ajrore të suspendojnë fluturimet ose të ndërmarrin rrugë më të gjata për të anashkaluar fluturimin mbi zonën ruse.
Deri vonë, Hong Kongu ka pasur disa prej rregullave më të rrepta për parandalimin e koronavirusit. Muajin e kaluar tha se personat që shkonin aty nuk do të kishin më nevojë të karantinoheshin në hotele apo të paraqesin test negativ.