Botë

Mbretëresha e Danimarkës ua heq titujt mbretërorë katër nipërve të saj

Mbretëresha Margrethe II e Danimarkës ka kërkuar falje, pasi ua ka hequr titujt mbretërorë katër prej tetë nipërve të saj, megjithatë, ajo ka thënë se nuk e ndryshon mendjen për këtë lëvizje.

Monarkja 82-vjeçare, e cila në fillim të këtij viti feston gjysmë shekulli në fron, njoftoi të enjten e shkuar, se nga viti i ardhshëm fëmijët e djalit të saj më të vogël, princit Joakim, nuk do të njihen më si princa dhe princesha, shkruan CNN-i të martën.

Në vend të kësaj, ata do të jenë në gjendje të përdorin vetëm titujt e tyre si kont dhe konteshë e Monpezatit dhe do të trajtohen si ekselenca, pasi titujt e tyre mbretërorë do të hiqen.

Helle von Wildenrath Lovgreen, sekretare e shtypit të konteshës Alexandra, ish-gruaja e princit Joakim, i tha CNN-it se Joakim dhe fëmijët e tij ishin të trishtuar dhe të tronditur nga vendimi të cilin mbretëresha Margrethe e sheh “si një korrigjim të nevojshëm për të ardhmen e monarkisë”.

“Në ditët e fundit, ka pasur reagime të forta ndaj vendimit tim për përdorimin e ardhshëm të titujve për katër fëmijët e Princit Joakim. Kjo sigurisht që më prek mua”, tha monarkja në deklaratë. “Vendimi im ka marrë një kohë të gjatë. Me 50 vitet e mia në fron, është e natyrshme të shikoj prapa dhe të shoh përpara. Është detyra ime dhe dëshira ime si Mbretëreshë është të siguroj që monarkia gjithmonë të formësohet në përputhje me kohën. Ndonjëherë kjo do të thotë se duhet të merren vendime të vështira dhe gjithmonë do të jetë e vështirë të gjesh momentin e duhur”.

Mbretëresha tha se ajo bëri “rregullimin” për të lejuar anëtarët e familjes mbretërore të bënin një jetë më normale, duke ndjekur një vendim të ngjashëm nga familjet e tjera mbretërore për të pakësuar monarkinë.

“Mbajtja e një titulli mbretëror përfshin një sërë angazhimesh dhe detyrash që, në të ardhmen, do t'u takojnë më pak anëtarëve të familjes mbretërore”, tha ajo.

Princi i kurorës Frederik, djali i madh i Mbretëreshës, është i pari në radhën e fronit. Fëmija i tij më i madh, Princi Christian, është i dyti në radhë. Të katër fëmijët e Frederikut ruajnë titujt e tyre.

Vëllai i tij më i vogël, Joakim, jeton në Paris me gruan e tij, princeshën Marie dhe dy fëmijët e tyre, Henrik, 13 dhe Athena, 10. Princi ka gjithashtu dy djem më të mëdhenj, Nikolai, 23 dhe Felix, 20, nga martesa e parë me me Alexandran, konteshë e Frederiksborg. Megjithëse fëmijët e Joakimit do të humbasin titujt e tyre mbretërorë, ata do të ruajnë vendet e tyre sipas rendit të pasardhësve.