Botë

Lideri i Iranit fajëson SHBA-në e Izraelin për protestat

Ayatollah Ali Khamenei

Lideri suprem i Iranit e ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për protestat anti-qeveritare në shtetin e tij, raporton BBC.

Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se këto protesta janë orkestruar nga rivalët e përbetuar të Iranit dhe pretendon se janë djegur kuranët.

Ai u ka bërë thirrje forcave të sigurisë që të merren me trazirat.

Protestat – sfida më e madhe në regjimin e tij prej një dekade – u nxitën pas vdekjes së një gruaje në paraburgim të Policisë.

Mahsa Amini 22-vjeçare, ra në koma disa orë pasi u arrestua nga Policia më 13 shtator në Tehran, pasi kishte thyer rregullin strikt të vendosjes së shamisë. Ajo vdiq tri ditë më vonë.

Familja e saj pretendon se policët e goditën në kokë me shkop dhe po ashtu e përplasën me kokë për veture.

Policia ka thënë se nuk ka dëshmi për keqtrajtim dhe se vdiq nga një sulm në zemër.

Gratë në Iran i filluan protestat pas varrimit të Aminit, duke hequr shamitë në shenjë proteste apo duke i djegur . Thirrjet “gratë, jetë, liri” dhe “vdekje diktatorit”, janë duke u dëgjuar në protesta.

Të hënën, Khamenei, duke folur për media pas ceremonisë së gradimit të kadetëve ushtarakë, ka thënë se vdekja e Aminit “na ka thyer zemrat”.

“Por ajo që nuk është normale është se disa njerëz, pa dëshmi apo hetim, kanë bërë rrugët e rrezikshme, kanë djegur Kuranin, kanë hequr shamitë nga koka e grave dhe kanë djegur xhamitë e veturat”, ka thënë ai, pa përmendur incidentet se ku ndodhën këto. “Them qartë se këto trazira dhe kjo pasiguri është e inxhinieruar nga Amerika dhe nga regjimi okupues, fals Zionist (Izraeli), si dhe nga agjentët e tyre të paguar, me ndihmën e disa tradhtarëve iranianë që jetojnë jashtë”.