Instituti amerikan për Studimin e Luftës bëri të ditur se disfatat e Rusisë në rajonin e Kharkivit dhe të Lymanit, shfaqën dështimin e Kremlinit në mobilizimin e pjesshëm në Ukrainë.
Në raportin e së hënës, Instituti shkroi se lufta në territorin ukrainas po ndryshon rrënjësisht për hapësirën ruse të informacionit.
“Mediat e sponsorizuara nga Kremlini dhe milblogerët rusë, një komunitet i shquar i Telegramit, i përbërë nga korrespondentë rusë të luftës, ish-zyrtarë përfaqësues dhe nacionalistë – janë të pikëlluar për humbjen e Lymanit, ndërsa po kritikojnë në të njëjtën kohë dështimet burokratike të mobilizimit të pjesshëm. Humbjen e Lymanit dhe të Kharkivit po ia atribuojnë dështimeve ushtarake dhe përforcimeve ruse në veri”, thuhet në njoftim.
Gazetarët pro presidentit rus, deklaruan se Vladimir Putini gaboi kur i aneksoi katër rajonet ukrainase, para se t’i siguronte kufijtë e tyre administrativë.
Kjo ngriti dyshimin nëse Rusia do të mund ndonjëherë “t’i pushtojë këto territore”
“Propagandistët e Kremlinit nuk e fshehin zhgënjimin e tyre në zhvillimin e mobilizimit të pjesshëm, duke diskutuar shpesh për mobilizimin e paligjshëm të disa burrave dhe duke vënë në dukje çështje të tilla si alkoolizmi midis forcave të sapomobilizuara”, thuhet nw raportin e sw hwnws tw Institutit, duke theksuar se Rusia ka nisur në luftë rezerva të dobëta.
“Hapësira ruse e informacionit ka devijuar ndjeshëm nga narrativat e preferuara të Kremlinit dhe Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjërat janë ‘përgjithësisht’ nën kontroll. Putini mbështetet në kontrollin e hapësirës së informacionit në Rusi për të mbrojtur regjimin, shumë më tepër sesa në llojin e aparatit masiv të shtypjes që përdori Bashkimi Sovjetik”, bëri të ditur Instituti amerikan i Luftës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.