Papa Françesku për herë të parë i është lutur drejtpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalojë “spiralen e dhunës dhe vdekjes” në Ukrainë, shkroi të dielën Reuters.
Në fjalimin e tij të dielën kushtuar Ukrainës, Papa ka thënë se kriza rrezikon përshkallëzim bërthamor me pasoja të pakontrollueshme globale.
Duke iu drejtuar mijëra njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku dënoi gjithashtu aneksimin e fundit të Putinit të tokave të Ukrainës, duke thënë se janë kundër ligjit ndërkombëtar.
Ai i kërkoi Putinit të mendojë për njerëzit e tij në rast të një përshkallëzimi.
Françesku i bëri thirrje gjithashtu presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të jetë i hapur ndaj çdo "propozimi serioz për paqe".
“Apeli im i shkon mbi të gjitha presidentit të Federatës Ruse, duke i lutur që të ndalojë këtë spirale dhune dhe vdekjeje, qoftë edhe nga dashuria për popullin e tij”, tha Françesku.