Botë

Erdogan: Nuk duam që Mesdheu të ndotet në gjak e armiqësi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Ankara i di mirë qëllimet e atyre që e provokojnë Athinën, duke iu referuar ngritjes së fundit ushtarake në Greqi.

Derisa foli në një takim të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara, Erdogan ka thënë se armët e grumbulluara në Trakinë Perëndimore dhe në ishuj nuk kanë kuptim për të.

Ai shtoi se Turqia nuk dëshiron që detet Egje dhe Mesdhe “të ndoten në gjak, lot apo armiqësi”.

“Duam paqe dhe qetësi me gjithë zemër”, ka shtuar ai, shkroi “Daily Sabah”.

Erdogani ka kritikuar edhe më parë Greqinë për mënyrën se si i trajton migrantët, duke akuzuar këtë shtet për armatosje të ishujve në lindje të Egjeut, që sipas tij po i shkelin traktatet ndërkombëtare.

"Armët e grumbulluara në zonën perëndimore dhe në ishuj nuk nënkuptojnë asgjë për ne, sepse fuqia dhe kapacitetet tona tejkalojnë ato”, ka thënë Erdogan.

Erdogan ka thënë të hënën se po ndjek politikat e Greqisë "të mbushura me provokime".

Ai shtoi se qeveria e tij do të mbrojë interesat shtetërore kundër Greqisë, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.