Botë

Arabia Saudite arreston burrin që nderoi Mbretëreshën Elizabeth II gjatë qëndrimit në Mekë

Një burrë është arrestuar në Arabinë Saudite pasi ka deklaruar se kishte udhëtuar për në qytetin e Shenjtë të Mekës për ta nderuar Mbretëreshën e vdekur të Mbretërisë së Madhe, Elizabeth II.

Burri, nga Jemeni, kishte postuar një video të tij në rrjetet sociale brenda oborrit të Xhamisë së Madhe të Mekës, vendi më i shenjtë në Islam, duke ia kushtuar pelegrinazhin e tij në Umra mbretëreshës së ndjerë, raportoi Daily Mail të mërkurën.

Pamjet tregojnë burrin duke mbajtur në duar një pankartë, ku shkruhej në anglisht dhe arabisht: “Umra për shpirtin e Mbretëreshës Elizabeth II, Allahu e dhëntë paqen në parajsë dhe e pranoftë atë në mesin e të drejtëve”.

Klipi u shpërnda shpejt në internet dhe fitoi vëmendje ,duke shkaktuar zemërim në mesin e myslimanëve të devotshëm.

Burri u arrestua më vonë nga Policia Saudite për “shkelje të rregulloreve dhe udhëzimeve” të vendit të shenjtë.

Forcat e sigurisë më pas e dërguan atë në prokurori për t'u përballur me akuzat.

Xhamia e Madhe është e ndaluar për jomuslimanët.

Arabia Saudite gjithashtu ndalon tabelat dhe sloganet politike nga oborri i shenjtë nga frika e ofendimit të ndjeshmërisë islamike.