Gazeta e pavarur serbe “Danas” ka shtjelluar gjerë e gjatë një deklaratë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë për televizionin publik gjatë panairit të verës në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, që në fundjavë u mbajt në Beograd.
Vuçiq, duke dashur të rrisë peshën e organizimit, tha se kush e di se edhe sa më të suksesshëm do të ishin nëse do të punon të kthjellët.
Ai tha se për 17 orë kanë punuar të dehur, duke provuar verëra të ndryshme.
Stefan Jovanoviq, sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore, tha për “Danas” se “dehja e presidentit në panairin e verës, i transmetuar drejtpërdrejt në televizionin publik, ishte një “reality show”.
“Në vend të Kosovës, rritjes së çmimeve, mungesës së qumështit, kufizimeve të mundshme të rrymës, opinioni është i shqetësuar me dehjen e presidentit”, theksoi ai.
Politologu Mladen Mërdal beson se "Vuçiqi po e luan njeriun e zakonshëm për masat”.
“Përpiqet të krijojë përshtypjen se gjithçka është në rregull dhe se Serbia po ecën në rrugën e bashkëpunimit dhe stabilitetit dhe të lë përshtypjen se është lider i rajonit”, tha ai.
Branislav Grubaçki, themeluesi i Optimizmit të Ri, thotë se Vuçiq nuk ka bërë kurrë asgjë.
“Para së gjithash, ai nuk ka bërë kurrë asgjë dhe përveç ndikimit të dëmshëm në politikë, ku është jashtëzakonisht i vlefshëm, nuk mund të lidhet me procesin e punës. Ai nuk di as të pijë, është jashtëzakonisht i karikaturuar, çdo njeri i ndershëm që ka qejf të pijë do t'ju thoshte, ndaj edhe unë do të përmbahem nga kjo”, tha Grubaçki për “Danas”, duke shtuar se “kjo përben skandal të madh”.
Si pjesë e Ballkanit të Hapur, në panair mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.
Të ftuar ishin edhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryesuesi i Këshilit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Talgetija dhe zyrtarë të tjerë.