Botë

Indi, një vajze iu vu zjarri pasi refuzoi propozimin për martesë

Policia indiane po heton vdekjen e një vajze që raportohet se i ishte vënë zjarri nga një përndjekës, propozimin për martesë të të cilit ajo refuzoi. Ky rast ka shkaktuar zemërim të madh në një vend ku dhuna ndaj grave është e shfrenuar, shkruan Reuters.

Policia ka thënë se burri futi vajguri në dhomën ku po flinte viktima, e quajtur Ankita, përmes dritares së shtëpisë së saj dhe i vuri flakën të martën e kaluar. Ajo vdiq në spital nga djegiet e rënda të dielën.

Shumë grupe kanë bërë thirrje për vdekjen e autorit të krimit, i cili sipas policisë jetonte në të njëjtin vend me viktimën në rrethin Dumka në shtetin lindor të Jharkhand.

Këshilli Botëror Hindu ka thënë se shumica e komunitetit hindu do të dilte në rrugë në shenjë proteste nëse nuk do të merreshin masat e duhura.

“Pas mizorisë ndaj Ankitës, vdekja e saj ka bërë që çdo indian të ulë kokën me turp”, ka thënë Rahul Gandhi, kreu i partisë kryesore opozitare të Kongresit.

“Sot ka një nevojë të madhe për të krijuar një mjedis të sigurt për gratë në vend”.

Autoritetet e qarkut kanë kufizuar lëvizjen e njerëzve për të parandaluar ndonjë pasojë nga incidenti.