Botë

Ndërpritet sulmi 30-orësh i militantëve në një hotel në Somali

Forcat somaleze thanë se i kanë mposhtur militantët islamikë që të premten (19 gusht), sulmuan një hotel në kryeqytet, duke i vrarë të paktën 20 persona.

Siç raportoi BBC-ja të dielën, sulmuesit përdorën eksploziv për të hyrë në hotelin “Hayat” në Mogadishu, derisa arritën që shumë klientë t'i merrnin peng.

Për mbi 30 orë, forcat e Somalisë luftuan me militantët, derisa thuhet se të gjithë sulmuesit u vranë.

“Forcat e sigurisë i kanë dhënë fund rrethimit tani dhe personat e armatosur janë vrarë”, deklaroi një zyrtar i paidentifikuar.

Hoteli është shkatërruar në masë të madhe pas sulmeve intensive.

Pamjet e publikuara shfaqin zjarrin e madh që kaploi hotelin e njohur somalez, gjatë përleshjes mes forcave vendase dhe militantëve. Grupi islamik Al-Shabab mori përgjegjësinë për sulmin.