Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës arriti një marrëveshje parimore me Zvicrën për përfaqësimin e interesave të Ukrainës në territorin e Rusisë, shkruan BBC.
"Në emër të presidentit të Ukrainës, Ministria e Punëve të Jashtme arriti një marrëveshje në parim me Zvicrën për përfaqësimin e interesave të Ukrainës në territorin e Rusisë. Zgjedhja në favor të Zvicrës u bë për shkak të përvojës së saj të madhe në kryerjen e funksioneve të tilla dhe ne i jemi mirënjohës qeverisë zvicerane për gatishmërinë e saj për të ofruar shërbimet e saj”, ka thënë Oleh Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Ministria e Punëve të Jashtme bën çdo përpjekje për të mbrojtur interesat e qytetarëve ukrainas në Rusi.
Qindra mijëra ukrainas që u dëbuan ilegalisht nga qytetet dhe fshatrat e Ukrainës të pushtuara përkohësisht nga ushtria ruse kanë nevojë për ndihmë, duke përfshirë fëmijë. Shumë qytetarë ukrainas gjithashtu u gjendën në territorin e Rusisë pa dokumente.
Zëdhënësi shtoi se nuk ka misione diplomatike ukrainase në territorin e Federatës Ruse. Nikolenko theksoi se modalitetet e përfaqësimit zviceran të interesave të Ukrainës në Federatën Ruse do të përcaktohen nga një marrëveshje dypalëshe.
Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, vendi pritës do të pajtohet që Zvicra përfaqëson interesat e Ukrainës në Rusi. Nikolenko premtoi se do të zbulojë detajet pas përfundimit të këtij procesi.
Siç është paralajmëruar, Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës është duke negociuar me Ambasadën e Zvicrës në Federatën Ruse për ofrimin e shërbimeve konsullore për ukrainasit që kanë humbur dokumentet e tyre në Rusi.
Ukraina ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë më 24 shkurt, kur filloi pushtimi rus në shkallë të gjerë.