Botë

Dëshpërimi dhe varfëria i shtyjnë afganët drejt drogës, edhe qentë viktima

Qindra burra, të lodhur nga heroina dhe opiumi, ishin shpërndarë në një kodër me pamje nga Kabuli, disa në tenda, disa në baltë. Qentë vërdallën aty sepse nganjëherë ata u japin drogë, dhe aty kishte trupa të qenve në mbidozë mes mbeturinave. Burrat po ashtu ecin vërdallë, të qetë dhe të vetëm, në dëshpërim e ndoshta deri në vdekje.

“Është një burrë i vdekur afër teje”, i tha dikush fotografit të Associated Press që po bënte vetë rrugën mes tyre për të bërë fotografi. “E varrosëm dikë aty më herët”, tha një tjetër më larg.

Image

Një burrë i shtrirë me fytyrën në baltë, i palëvizshëm. Kur e lëvizën, mezi e ktheu kokën.

“Je duke vdekur. Mundohu të mbijetosh”, i tha fotografi.

“Është në rregull të vdesësh”, ia kthen burri.

Pasi piu pak ujë dhe dikush i dha pak heroinë përmes një tubi, mori energji. Ai tha se emrin e kishte Dawood. Kishte humbur njërën këmbë nga mina një dekadë më parë gjatë luftës; pas kësaj ai nuk mund të punonte më dhe jeta iu shkatërrua.

Varësia nga droga ka qenë problem i kamotshëm në Afganistan, prodhuesi më i madh në botë i opiumit dhe heroinës. Të varurit janë ata që shtyhen nga varfëria e skajshme dhe nga dekada lufte që kanë lënë pak familje të padëmtuara.

Image

Duket se u bë edhe më keq që kur ekonomia e vendit kolapsoi pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Numër në rritje i të varurve nga droga gjenden përreth Kabulit, duke jetuar në parqe, kanalizime, nën ura dhe në kodra.

Një statistikë e Kombeve të Bashkuara më 2015 nxori se 2.3 milionë persona kishin përdorur drogë atë vit. Tani shtatë vjet më pas, numri është i panjohur, por besohet se është rritur.

{gallery}

Talebanët, që morën pushtetin gati një vit më parë, kanë lansuar një fushatë agresive të çrrënjosjes së kultivimit. Në të njëjtën kohë, ata trashëguan politikën e qeverisë së rrëzuar, të mbështetur ndërkombëtarisht për të grumbulluar të varurit që t'i detyrojnë të qëndrojnë në kampe më pas.

Gjatë dy netëve këtë verë, talebanët kishin bastisur zonat ku tuboheshin të varurit. Aty grumbulluan 1500 persona dhe i futën nëpër vetura e kamionë për t’i dërguar në spitalin Avicenna për trajtimin e drogës. Ky është kampi më i madh i trajtimit në Kabul. Aty të varurit u rruan dhe u mbajtën për 45 ditë.

Image

Një javë pas bastisjes, lokacionet e njëjta ishin të mbushura sërish plot, me qindra njerëz.

Në kodër, u pa një burrë që dukej se nuk ishte përdorues droge. Në errësirë endej dhe lëshonte një dritë në fytyrat e njerëzve të tjerë. Ai po kërkon vëllain e tij, i cili ishte bërë i varur vite më parë. Ai shkon nga vendi në vend për ta gjetur.

“Shpresoj se një ditë do ta gjej”, tha ai.

Image