Qeveria greke do të protesotjë në rrugë diplomatike lidhur qëndrimin e Serbisë ndaj rrëzimit të avionit transportues në fundjavë, në veri të Greqisë, shkruan DW-ja të hënën.
Gazeta “Kathimerini”, duke iu referuar qarqeve diplomatike në Athinë, raportoi të hënën se ambasadori grek në Beograd do të paraqitet në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, për t'u ankuar, që Beogradi nuk ka informuar në kohë për ngarkesën dhe destinacionin e avionit, që fluturonte drejt Bangladeshit.
Avioni i tipit Antonov An-12 të shtunën në mbrëmje u nis nga aeroporti i Nishit dhe pak kohë më vonë u rrëzua në afërsi të qytetit grek Kavala me 11,5 tonë municion predhash.
Pas kësaj, ka zgjatur me orë të tëra derisa pala serbe i komunikoi Athinës saktë informacionin mbi përmbajtjen dhe destinacionin, theksohet në kritikën e Greqisë. Për këtë arsye ka pasur paqartësi për orë të tëra në vendin e fatkeqësisë.
Pas rrëzimit të avionit ka pasur shpërthime me orë të tëra dhe janë përhapur avuj asfiksues. Dy zjarrfikës u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje. Shumë shpejt forcat e shpëtimit u tërhoqën dhe banorëve të zonës përreth iu bë thirrje të mos dalin nga shtëpitë dhe të mbanin dritaret mbyllur, sepse nuk ishte e qartë se çfarë lëndësh ka pasur në ngarkesën e avionit.
Në aksident, humbën jetën tetë anëtarë të ekuipazhit.
Të dielën në mëngjes, në vendngjarje mbërritën ekspertët e ushtrisë për të hulumtuar zonën e aksidentit për lëndë toksike, përpara se zona të lirohej sërish.