Botë

Putini do të takohet me presidentin turk dhe atë iranian në Teheran

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takojë homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentin iranian, Ebrahim Risi, për të diskutuar për Sirinë gjatë vizitës në Teheran, ka njoftuar Kremlini të martën.

Ky do të jetë udhëtimi i dytë i Putinit jashtë vendit që prej kur nisi pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se tre liderët, nga tri shtetet garantuese të procesit të Astanës, i projektuar për të gjetur një zgjidhje paqeje në Siri, do të mbajnë takim trepalësh, shkruan Reuters.

Rusia dhe Irani janë mbështetësit kryesorë ushtarakë dhe politikë të presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërsa Turqia ka ofruar ndihmë ushtarake për Ushtrinë e Lirë Siriane dhe grupe të tjera rebele që ende luftojnë kundër forcave të Asadit në Sirinë veriperëndimore.

Kremlini kishte thënë të hënën se Putini dhe Erdogani, i cili ka ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit që kur Rusia dërgoi forcat e saj të armatosura në Ukrainë më 24 shkurt, do të zhvillojnë bisedime të tjera, menjëherë pas një bisede telefonike në të cilën ata diskutuan përpjekjet për të lehtësuar eksportet e grurit nga Ukrainë.