Në çështjen “Roe kundër Wade” në vitin 1973, Gjykata Supreme vendosi me shtatë vota “për” dhe dy “kundër” se e drejta e gruas për abort mbrohej me Kushtetutën amerikane. Vendimi i atëhershëm gjyqësor u dha grave amerikane të drejtën absolute për të abortuar në tre muajt e parë të shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë.
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin, që ka qenë në fuqi në 50 vjetët e fundit. Të premten, me shumicë votash, Supremja ka rrëzuar ligjin e njohur “Roe v. Wade”, duke ua mundësuar shteteve amerikane që të ndalojnë abortet.
Vendimi, i paimagjinueshëm para disa vjetësh, është piku i dekadave të përpjekjeve nga kundërshtarët e abortit dhe u bë i mundur nga krahu i djathtë i gjykatës që ishte fortifikuar nga tre të emëruarit e ish-presidentit Donald Trump.
Të dy krahët e gjykatës kanë parashikuar se beteja për abortin do të vazhdojë. Në kryeqytetet amerikane dhe në Washington është bërë thirrje për kthimin e vendimeve për mbrojtjen e martesës të së njëjtës gjini, marrëdhënieve gay dhe përdorimit të kontraceptivëve.
Klinika e vetme në West Virginia, që realizonte abortet, ndaloi punën pas vendimit të së premtes.
Vendimi është publikuar një muaj pas rrjedhjes së draft-opinionit nga gjykatësi Samuel Alito, i cili kishte paralajmëruar se gjykata ishte gati që të merrte këtë hap vendimtar.
Sipas sondazheve publike, vendimi e vendos gjykatën përballë shumicës amerikane që preferonte të ruante ligjin Roe.
Alito në opinionin vendimtar të publikuar të premten, ka shkruar se Roe dhe Plannet Parenthood v Casey i vitit 1992, vendim që konfirmonte të drejtën për abortin, ishte i gabuar dhe se duhej të rrëzohej.
“Prandaj mendojmë se Kushtetuta nuk ofron të drejtën për abort. Roe dhe Casey duhet të rrëzohen dhe autoriteti për çështjen e abortit duhet t’u kthehet popullit dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur”, ka shkruar gjykatësi Alito, opinioni i të cilit ishte shumë i ngjashëm me draftin e rrjedhur para një muaji.
Në çështjen “Roe kundër Wade” në vitin 1973, Gjykata Supreme vendosi me shtatë vota “për” dhe dy “kundër” se e drejta e gruas për abort mbrohej me Kushtetutën amerikane.
Vendimi i atëhershëm gjyqësor u dha grave amerikane të drejtën absolute për të abortuar në tre muajt e parë të shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë.
Gjykata ka lejuar deri më tani shtetet federale të rregullojnë, por jo ta ndalojnë abortin.
Pritet që gjysma e shteteve amerikane të vendosin kufizime ose ndalime të reja dhe miliona gra në SHBA do ta humbin të drejtën e mëparshme ligjore.
Trembëdhjetë prej tyre kanë miratuar tashmë ligje që do të ndalojnë automatikisht abortin pas një vendimi të Gjykatës Supreme. Këto janë Arkansas, Idaho, Kentaki, Luiziana, Misisipi, Misuri, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Tenesi, Utah, Teksas, Oklahoma dhe Wyoming.
Shumë shtete të tjera të SHBA-së ka të ngjarë të vendosin kufizime të reja së shpejti.
Pak çaste pas vendimit, prokurori i shtetit të Missourit, Eric Schmitt, publikoi vendimin duke iniciuar një ligj shtetëror kundër abortit, që ndalon procedurat, përveç në rastet urgjente.
Sipas hulumtimit të “Planned Parenthood”, organizatë shëndetësore që ofron aborte, në përgjithësi qasja për abort pritet të ndërpritet për rreth 36 milionë gra në moshën riprodhuese.
Përfaqësuesit e Partisë Demokrate u përpoqën të miratonin një ligj në Senatin amerikan dhe të zvogëlonin dëmin nëse Gjykata Supreme shfuqizon të drejtën e abortit, por ai u refuzua për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të Partisë Republikane.
Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të SHBA-së u dha në çështjen “Dobbs kundër Jackson's Women's Health Organization”, në të cilin një klinikë aborti në Mississippi kundërshtoi përpjekjet e shtetit për të ndaluar abortin pas 15 javësh shtatzëni.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti vendimin e së premtes si qëllim të errët dhe ekstrem të Partisë Republikane për t’i privuar gratë nga e drejta për të marrë vendimet e tyre për shëndetin riprodhues.
Pelosi ka fajësuar Donald Trumpin, Mitch McConnellin, Partinë Republikane dhe shumicën e saj në Gjykatën Supreme që grave amerikane u kanë dhënë “më pak liri se nënave të tyre”.