Botë

Ukraina e Moldavia marrin statusin e vendit kandidat për BE

Ukrainës dhe Moldavisë u është pranuar statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropain, njoftoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ai shkroi në Twitter se ky është moment historik, derisa i uroi liderët e të dyja shteteve.

“Sot u shënua një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së. E ardhmja është e përbashkët”, shkroi Michel.

Për këtë reagoi edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai tha se është mirënjohës ndaj vendimit. Po ashtu e konsideroi moment historik për ukrainasit.

Ukraina aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE disa ditë pasi nisi pushtimi rus në shkurt dhe që atëherë procesi ka ecur me shpejtësi të madhe.

Statusi i kandidatit është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE dhe Franca tha këtë javë se kishte "konsensus total" për Ukrainën.

Por mund të duhen shumë vite për t'u bashkuar dhe nuk ka asnjë garanci për sukses.

Ndërkaq sa i përket Gjeorgjisë, Këshilli Evropian ka vendosur “të njohë perspektivën evropiane të Gjeorgjisë dhe është gati të japë statusin e kandidatit pasi të adresohen prioritetet e pazgjidhura”, shtoi Michel.