Botë

Kriza po ua ndryshon njerëzve mënyrën e jetesës

Në të gjithë globin, shoferë si Mueller po rimendojnë shprehitë e tyre dhe financat personale shkaku i çmimeve të larta të benzinës dhe naftës, të nxitura nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rikthimi global nga pandemia COVID-19. Çmimet e energjisë janë shtytësi kryesor i inflacionit që po rritet në mbarë botën dhe që e bën koston e jetesës më të shtrenjtë

Në një pikë karburanti pranë aeroportit të Këlnit në Gjermani, Bernd Mueller shikon shifrat në pompën e derivateve. Numrat po tregojnë se edhe benzina ​​po ngrihet gjithashtu.

"Unë do ta heq makinën në tetor ose nëntor”, tha Mueller, 80 vjeç. "Unë jam në pension dhe pastaj është çështja e benzinës ​​dhe të gjitha këto. Në një moment, ju duhet të tërhiqeni”.

Ndryshime të imponuara

Në të gjithë globin, shoferë si Mueller po rimendojnë shprehitë e tyre dhe financat personale shkaku i çmimeve të larta të benzinës dhe naftës, të nxitura nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rikthimi global nga pandemia COVID-19. Çmimet e energjisë janë shtytëse kryesore të inflacionit që po rritet në mbarë botën dhe që e bën koston e jetesës më të shtrenjtë.

Një shofer taksie me motoçikletë në Vietnam shikon aplikacionin e udhëtimit me transport publik në vend që të djegë karburant të shtrenjtë. Një familje franceze pakëson ambiciet për një pushim gushti. Një dizajner grafik në Kaliforni e krahason çmimin e gazit me faturën e një darke jashtë shtëpisë. Një nënë në Romë, llogarit koston e udhëtimit të djalit të saj në kamp, duke përfshirë edhe çmimin e ushqimit.

Vendimet në të gjithë ekonominë e botës janë po aq të ndryshme sa konsumatorët dhe vetë vendet: Ecni më shumë; hiqjani pluhurin biçikletës; udhëtoni me metro, tren ose autobus. Përdorni një prekje më të lehtë në pedalin e gazit për të kursyer karburant. Rishikoni atë udhëtim - a ia vlen? Ose ndoshta edhe udhëtoni pa makinë.

Për miliona njerëz që nuk kanë qasje në transportin e duhur publik ose përndryshe, nuk mund të heqin dorë nga makina e tyre, zgjidhja është t’i shtrëngojnë dhëmbët dhe të paguajnë duke ulur kostot diku tjetër.

Image
Për miliona njerëz që nuk kanë qasje në transportin e duhur publik ose përndryshe nuk mund të heqin dorë nga makina e tyre, zgjidhja është t’i shtrëngojnë dhëmbët dhe të paguajnë duke i ulur kostot diku tjetër

Zhvlerësimi i të hyrave

Nguyen Trong Tuyen, shofer taksie që punon për shërbimin e udhëtimit në internet Grab në Hanoi, Vietnam, tha se kriza po ndihet përditë.

"Nëse ngec në një bllokim trafiku, tarifa e udhëtimit nuk do ta mbulojë koston e benzinës për udhëtimin", tha ai.

Shumë shoferë kanë ndaluar shërbimet e tyre si Tuyen, duke e bërë të vështirë për klientët të rezervojnë udhëtime.

Në Manila, Ronald Sibeyee digjte 900 pesos (rreth 15 euro) naftë në ditë me xhipin e tij, një automjet i dekoruar me ngjyra i popullarizuar për transportin publik në Filipine, që evoluoi nga xhipat ushtarakë amerikanë të lënë pas Luftës së Dytë Botërore. Tani, vlera është sa 2200 pesos.

“Këto duhet të ishin tashmë të ardhurat tona. Tani fitimi ka rënë përtokë”, tha ai. Të ardhurat e tij kanë rënë rreth 40% për shkak të rritjes së çmimit të karburantit.

Çmimet e benzinës dhe të naftës janë një ekuacion kompleks i kostos së naftës së papërpunuar, taksave, fuqisë blerëse dhe pasurisë së vendeve individuale, subvencioneve qeveritare ku ekzistojnë, dhe uljes së marrë nga ndërmjetësit si rafineritë. Nafta vlerësohet në dollarë, kështu që nëse një vend është importues i energjisë, kursi i këmbimit e bën të veten – euroja, më e dobët kohët e fundit, ka ndihmuar në rritjen e çmimeve të benzinës në Evropë.

Dhe shpesh ka faktorë gjeopolitikë, siç është lufta në Ukrainë. Blerësit që shmangin fuçitë ruse dhe planet perëndimore për të ndaluar naftën e vendit kanë tronditur tregjet e energjisë tashmë duke u përballur me furnizime të pakta nga rimëkëmbja e shpejtë e pandemisë.

Dinamit politik

Ka një çmim global të naftës - rreth 110 dollarë për fuçi - por nuk ka çmim global për litër në pompë për shkak të taksave dhe faktorëve të tjerë. Në Hong-Kong dhe Norvegji, mund të paguani më shumë se 10 dollarë për galon. Në Gjermani, mund të jetë rreth 7,50 dollarë për galon, dhe në Francë, rreth 8 dollarë. Ndërsa taksat më të ulëta të karburantit nënkuptojnë se mesatarja e SHBA-së për një galon gaz është disi më e lirë në 5 dollarë, është ende hera e parë që çmimi ka qenë kaq i lartë.

Njerëzit në vendet më të varfra ndiejnë shpejt stresin nga çmimet më të larta të energjisë, por evropianët dhe amerikanët gjithashtu janë duke u shtrydhur. Amerikanët kanë më pak qasje në transportin publik, madje edhe rrjetet e transitit të Evropës nuk arrijnë të gjithë, veçanërisht ata në fshat.

Charles Dupont, menaxher i një dyqani veshjesh në rajonin Essonne në jug të Parisit, thjesht duhet të përdorë makinën e tij për të shkuar në punë.

“Unë praktikoj zgjidhje praktike, që do të thotë të ngas më ngadalë dhe të shmang frenimin e papritur”, tha ai.

Të tjerët po bëjnë çfarë munden për t’i reduktuar shpenzimet. Letizia Cecinelli, duke mbushur makinën e saj në një pikë karburanti në Romë, po udhëton me biçikletë dhe po përpiqet t’i reduktojë udhëtimet me makinë "aty ku ishte e mundur".

“Por nëse kam një fëmijë dhe duhet ta çoj në kamp? Më duhet ta bëj duke prerë një picë shtesë”, tha ajo.

Çmimet për litër në pompa mund të jenë dinamit politik. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërkuar që Arabia Saudite të prodhojë më shumë naftë për të ndihmuar në uljen e çmimeve të gazit, duke vendosur të udhëtojë në mbretëri në korrik pasi aleanca OPEC+ e udhëhequr nga Arabia Saudite - vendosi të rrisë prodhimin. SHBA-ja dhe vendet e tjera gjithashtu kanë nxjerrë naftë nga rezervat e tyre strategjike, gjë që ndihmon, por nuk është vendimtare.

Ndërhyrjet qeveritare

Disa vende kanë kufij të çmimeve të karburantit, duke përfshirë Hungarinë, ku zbritja nuk vlen për targat e huaja. Në Gjermani, qeveria uli taksat me 35 cent euro për litër për benzinën dhe 17 cent për naftën, por shpejt çmimet filluan të rriten përsëri.

Gjermania gjithashtu ka prezantuar një biletë mujore me zbritje prej 9 eurosh për transportin publik, gjë që çoi në stacione dhe trena të mbushur me njerëz në fundjavën e fundit të pushimeve. Por programi zgjat vetëm tre muaj dhe është pak i dobishëm për njerëzit në fshat nëse nuk ka stacion treni aty pranë.

Në fakt, njerëzit po blejnë po aq gaz sa para pandemisë, njoftoi shoqata e pompave të karburantit e Gjermanisë.

"Njerëzit po blejnë po aq sa më parë - ata po ankohen, por po e pranojnë”, tha zëdhënësi i grupit, Herbert Rabl.

A ka ndonjë lehtësim në horizont? Shumëçka varet nga mënyra se si lufta në Ukrainë ndikon në tregjet globale të naftës. Analistët thonë se një pjesë e naftës ruse është pothuajse e sigurt që do të shpërndahet në tregjet tjera, sepse, Bashkimi Evropian, klienti më i madh dhe më i afërt i Rusisë, është zotuar t’ përfundojë shumicën e blerjeve nga Moska brenda gjashtë muajve.

Ndërkohë, India dhe Kina po blejnë më shumë naftë ruse. Evropa do të duhet ta marrë furnizimin e saj nga diku tjetër, siç janë eksportuesit e Lindjes së Mesme. Por OPEC+, i cili përfshin Rusinë, ka dështuar të përmbushë objektivat e tij të prodhimit.

Image

Ndryshime planesh

Për shumë njerëz, shpenzimet për gjëra të tilla si netët jashtë dhe, në Evropë, përkushtimi pothuajse fetar ndaj pushimeve të zgjatura në fund të verës, janë në tavolinën kryesore.

Isabelle Bruno, mësuese në periferi të Parisit, tani udhëton me autobus deri në stacionin e trenit në vend që të udhëtojë dhjetë minuta me makinë.

“Bashkëshorti im dhe unë jemi vërtet të shqetësuar për pushimet, sepse ne e përdornim makinën tonë shumë shpesh, ndërsa vizitonim familjen tonë në Francën jugore”, tha ajo. "Tani do t'u kushtojmë vëmendje biletave të trenit dhe do të përdorim makinën tonë vetëm për udhëtime të shkurtra”.

Leo Theus, dizajner grafik nga qyteti Hayward, në zonën e Gjirit të San Franciskos, duhet të tregohet "strateg" në buxhetimin e gazit ndërsa shkon për t’i takuar klientët - ai mund të mos e mbushë rezervuarin deri në fund. Çmimet e gazit në Kaliforni janë më të lartat në SHBA, duke arritur rreth 7 dollarë për galon në disa pjesë të shtetit.

Kur vjen puna për të shkuar në një klub ose bar pas punës, "duhet të mendosh për gazin tani, duhet të vendosësh, a ia vlen vërtet të shkosh atje, apo jo?" - tha Theus.

{gallery}