Një person ka vdekur dhe tetë persona të tjerë janë plagosur pasi një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat në Kinën jugore të shtunën në mëngjes, raportoi media shtetërore CCTV.
Treni doli nga shinat në orën 10:30 të mëngjesit me kohën lokale pasi goditi mbeturinat nga një rrëshqitje dheu që ishte në shina ndërsa po i afrohej qarkut Rongjiang.
Personi që ka vdekur është drejtuesi i trenit i cili vdiq në spital, ndërkohë që të lënduar kanë mbetur një anëtar i ekuipazhit dhe shtatë udhëtarë.
Në momentin e aksidentit, në tren ishin më shumë se 136 pasagjerët të cilët u evakuuan në mënyrë të sigurte.
Rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë të Kinës përfshin 37,900 kilometra linja që përshkojnë vendin për të lidhur të gjitha grupimet kryesore të megaqyteteve. Të gjitha janë përfunduar që nga viti 2008.
Asnjë incident i madh nuk është raportuar në rrjet që nga viti 2011, kur 40 njerëz u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën pasi një tren me shpejtësi të lartë u godit nga një tren tjetër pranë Wenzhou, provincën Zhejiang.