Botë

Për “gjeneratën e izolimit” vrasjet në masë janë realiteti i saj

Një ditë pas masakrës së shkollës në Teksas, mësuesja e Ohios, Renee Coley, hamendësoi se nxënësve të saj në klasën e gjashtë do t’u duhej kohë për ta përpunuar atë që ndodhi, kështu që ajo e nisi orën mësimore me një video rreth lajmeve dhe filloi diskutimin. Disa nxënës u shprehën se ishin të trishtuar. Disa të tmerruar nga fakti se 19 fëmijët e vrarë ishin kaq të vegjël.

Megjithatë, pas disa minutash, diskutimi nisi të zbehej. Nxënësit ishin gati ta vazhdonin ditën e tyre. Për Coleyn, ishte si kujtim i zbehtë që studentët i kishin parë të gjitha më herët dhe ishin mësuar tashmë me kërcënimin gjithnjë e më të pranishëm të armëve në shkollë.

“Nuk kanë as pyetje, ngaqë këta fëmijë janë rritur gjatë gjithë jetës së tyre në këtë formë dhe ky ka qenë realiteti për ta”, ka theksuar Coley, e cila jep mësim në Reynoldsburg, jashtë Columbus. “Janë mësuar me këtë...Është vetëm një lajm tjetër për ta”.

Ndërveprimi nxjerr në pah se si nxënësit në të gjithë Amerikën janë rritur të mpirë ndaj dhunës që është shfaqur gjatë gjithë jetës së tyre në shkolla e qytete – dhe në një frekuencë shumë më të madhe nga pandemia.

Historiku i masakrave

Masakra në Robb Elementary në Uvalde, Teksas, të martën ka shënuar të shtënat më vdekjeprurëse në shkollë, që nga masakra e vitit 2012 në shkollën fillore “Sandy Hook” në Newtown, Connecticut. Policia ka njoftuar se vrasësi 18-vjeçar u vra nga forcat e rendit në shkollë. Aty u vranë edhe dy mësimdhënës.

Megjithëse të shtënat masive të atyre përmasave janë të rralla, studiuesit në Shkollën Pasuniversitare Detare kanë regjistruar 504 raste të dhunës me armë në shkollat fillore e të mesme që nga fillimi i vitit 2020 – numër që eklipson tetë vjetët e mëparshëm të kombinuar.

Baza e të dhënave përfshin një seri rastesh, duke përfshirë studentët që i ekspozojnë armët ose hapin zjarr në klasa, banja, kafene ose palestra. Numërohen edhe nxënësit që kanë përdorur armë për ta vrarë veten në shkollë. Gjithashtu, gjurmon dhunën që nuk përfshin studentët, mirëpo të shtënat gjatë natës pranë mjediseve të shkollës.

Një numër alarmant ka përfshirë adoleshentët që iu drejtuan dhunës për t’i zgjidhur konfliktet e momentit, ka treguar David Riedman, kriminolog që bashkëthemeloi bazën e të dhënave në Qendrën e Shkollës Pasuniversitare Detare për Mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurinë.

“Shumica e këtyre incidenteve janë përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve”, ka thënë Riedman. “Ka më shumë adoleshentë që mbajnë pistoleta të fshehura në shkollë, të cilët përleshen dhe qëllojnë njerëz. Kjo nuk është diçka që e shihnim përpara pandemisë”.

Dhuna dhe traumat e tjera janë bërë mjaft të zakonshme për nxënësit e shkollave, saqë Shkollat Publike të Çikagos zhvilluan një udhëzues 15-faqesh të quajtur “The Day After”, për të ndihmuar mësuesit dhe stafin t’i trajnojnë studentët përmes përpunimit të ngjarjeve të dhimbshme.

Mbajtja e armëve

Përhapja e armëve nëpër shtëpi, së bashku me sistemin e mbingarkuar të shëndetit mendor që ka lënë shumë studentë pa ndihmën e nevojshme, ka nxitur rritjen e dhunës me armë në shkolla, kanë bërë të ditur studiuesit.

Në fakt, incidentet e dhunshme me armë janë shtuar në të gjithë Amerikën që nga fillimi i pandemisë – jo vetëm në shkolla.

“Dhuna me armë është si përmbytje, kur qyteti përmbytet, krejt ndërtesat marrin ujë”, ka thënë Dewey Cornell, psikolog dhe drejtor i Projektit të dhunës së rinisë në Virxhinia.

Shkollat janë ende ndër vendet më të sigurta për fëmijët, ka vënë në dukje Cornell, pasi shumica e vrasjeve ndodhin në shtëpi, rrugë publike ose zona të tjera. Ai po ashtu mendon se të shtënat masive në shkolla do të vazhdojnë nëse Amerika nuk e trajton mungesën e saj të gjatë të punonjësve të shëndetit mendor në shkolla.

“Disa fëmijë ndihmohen, ama një numër i vogël largohen të traumatizuar, të zemëruar e të mërzitur”, ka thënë ai. Për disa prej tyre, “kur një moment krize ndodh në jetën e tyre, do të kryejnë një lloj akti të dhunshëm ndaj vetes ose të tjerëve”.

Pas çdo sulmi masiv në shkollë Laurel Brooks, mësuese e dizajnit grafik dhe e artit në shkollën e mesme në Charlotte, Karolinë e Veriut, përpiqet t’i udhëheqë studentët përmes bisedave dhe veprave artistike që mund t’i ndihmojnë ata të shprehin mendimet e tyre. Pas të shtënave të vitit 2018 në Parland, Florida, ku u vranë 14 studentë dhe tre anëtarë të stafit, studentët kanë punuar ese grafike, në të cilën e përkufizonin veten si “brezi i bllokimit”. Tema ka rezonuar me klasat pasuese.

“Është për t’u frikuar që është diçka e vërtetë”, ka thënë ajo. “Ata janë rritur me këtë...ama janë ende fëmijë, nuk duhet të përshtaten ndaj kësaj lloj traume”.

Mësuesja e studimeve sociale në Los Anxhelos, Nicolle Fefferman, filloi mësimet e saj të shkollës së mesme të mërkurën me pyetje rreth asaj se si po ndiheshin njerëzit pas masakrës së Uvalde - pas vrasjeve në supermarket në Buffalo dhe sulmit në kishë në Orange County, Kaliforni, sulmi i tretë i madh që e kishte diskutuar me ta gjatë dy javëve të fundit.

“Ajo që dëgjoja më së shpeshti nga nxënësit ishte zhgënjimi se si kjo gjë nuk është rregulluar ende. Ishin edhe të zemëruar pasi duket sikur jemi i vetmi vend ku ndodhin këto gjëra. Studentët pyesin shpesh “Pse?”, ka treguar ajo.

“Në një nga klasat e saj, studentët filluan t’i rendisnin të gjitha herët që u është dashur të jenë në izolim. Pastaj studentët e pyetën Fettermanin se si ishte kur ajo ishte e re”. Përgjigjja e saj i mahniti, ka treguar ajo.

“Nuk ke bërë stërvitje bllokimi kur ishe duke u rritur?”, pyetën ata. “Jo, djema, kjo nuk ishte pjesë e përjetimeve të mia”, është përgjigjur ajo.

“Ky është brezi që është angazhuar në këto stërvitje, siç ne bënim stërvitjet kundër tërmeteve dhe zjarrit”, ka shpjeguar Fetterman.

Përktheu: Blerta Haxhiu