Botë

Kenia nis testimin e një forme të re të mjekimit për HIV

Një milion e gjysmë njerëz në Keni janë HIV pozitivë dhe një milion prej tyre vlerësohet se marrin ilaçet antiretrovirale.

Mirëpo, stigma e të pasurit këtë sëmundje do të thotë se shumë njerëz janë të turpëruar të mjekohen dhe t’i marrin ilaçet e nevojshme.

Përdorimi jo i vazhdueshëm i ilaçeve do të thotë se ato nuk janë efektive sa duhet.

Sipas një raporti amerikan, stigma mbetet pengesa kryesore që njerëzit të testohen në shtetet afrikane, edhe në ato ku trajtimi është i duhuri.

Tani, Kenia, Uganda dhe Afrika e Jugut janë duke testuar injektimin e ilaçeve antiretrovirale, proces që bëhet një herë në dy muaj.

Benta Agola është HIV pozitive dhe ka jetuar me sëmundjen për 21 vjet. Ajo mendon se ilaçet tani mund të merren më shpesh dhe më në privatësi.

“Jam gati për këtë ilaç dhe mezi pres ta përdor, sepse tani jam më afër që të jetoj si person normal. Nuk është kërcënim për jetën time”.

Ka jetuar me sëmundjen për 21 vjet, gjatë të cilave është përballur me shumë sfida përfshirë stigmën dhe diskriminimin.

“Tani nuk do të më duhet t’i kem ilaçet në çantë. Askush nuk do ta kuptoj se jam pozitive dhe do t’i shtyjë njerëzit e sëmurë që fshihen, të dalin dhe të marrin ilaçin”.

Testimi i ilaçit në 160 pacientë ka nisur në Keni. Në muajin mars, pacienti i parë është injektuar me ilaçet rilpivirinë dhe cabotegravir.

Këto dy ilaçe janë miratuar për përdorim në Britani të Madhe dhe SHBA, mirëpo doktorët kanë thënë se duhet të testohen te popullsia afrikane.

Pacientët e testuar do të monitorohen në dy vjetët e ardhshëm.

Injektimi i ilaçeve kundër HIV-it, që planifikohet të bëhet një herë në dy muaj, pritet t’i shtyjë të infektuarit që të mjekohen më shumë.

Më shumë se 18 milionë njerëz jetojnë me HIV-in nëpër krejt botën, por gati një numër i njëjtë nuk kanë qasje në ilaçet kundër sëmundjes, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Keni, 82 mijë fëmijë në këtë shtet afrikan janë HIV pozitiv, ndërkaq 870 mijë janë gra, duke filluar nga mosha 14-vjeçare.