Botë

Protesta në Nigeri, kërkohet lirimi i atyre që vranë dhe dogjën një studente të krishterë

Një shtetrrethim 24-orësh është shpallur në Sokoto, Nigeri, pasi protestuesit dolën në rrugë duke kërkuar lirimin e dy të dyshuarve për vrasjen e një studenteje të krishterë të enjten, shkruan BBC të shtunën.

Deborah Samuel u rrah dhe u dogj nga studentë myslimanë të cilët e akuzuan atë për postimin e deklaratave "blasfemuese" për Islamin në një grup të WhatsAppit të enjten.

Vdekja e saj është dënuar gjerësisht nga myslimanët dhe të krishterët anembanë Nigerisë.

Të shtunën, protestuesit dogjën goma dhe policia hodhi gaz lotsjellës.

Disa nga protestuesit rrethuan pallatin e Muhamed Sa'ad Abubakar, sulltanit të Sokotos dhe figurës më të lartë shpirtërore në mesin e myslimanëve në Nigeri.

Sulltani ka dënuar vrasjen në shkollën Shehu Shagari dhe ka kërkuar që të përfshirët të përballen me drejtësinë.