Nëse gjatë udhëtimeve në Tokën e Shenjtë palestinezët që vendosin të bëjnë hapin e radhës në lidhjen e tyre, duhet ta njoftojnë ushtrinë izraelite brenda 30 ditësh. Kjo është ajo që thuhet në faqen 30 të një ligji të ri të publikuar nga COGAT, organi ushtarak izraelit i ngarkuar me çështjet civile në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ligji, e vendosur të hyjë në fuqi më vonë këtë vit, specifikon se “fillimi i marrëdhënies” është fejesa, dasma ose kur jetoni së bashku.
Politika e gjerë imponon kufizime të reja për të huajt që martohen me palestinezë ose që vijnë në Bregun Perëndimor për të punuar, për të dhënë mësim, vullnetar apo për të studiuar, duke e zgjeruar më tej sundimin ushtarak gati 55-vjeçar të Izraelit në pothuajse çdo cep të jetës palestineze. Rregullat nuk zbatohen për njerëzit që vizitojnë Izraelin ose më shumë se 130 vendbanime të shpërndara në Bregun Perëndimor.
“Është skandaloze që ushtria izraelite mendon se mund të mikromenaxhojë shoqërinë palestineze në këtë masë, për të vendosur se kush është i kualifikuar për të dhënë mësim në një universitet, kush ka të drejtë të ketë vullnetarë të huaj”, ka theksuar Jessica Montell, drejtore e grupit izraelit të të drejtave të njeriut HaMoked.
Grupi i saj paraqiti një peticion ligjor me kundërshtime të gjata ndaj politikës, duke bërë që autoritetet izraelite ta vononin zbatimin e saj nga 20 maji deri në fillim të korrikut.
Politika mund t’i zemërojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara, të cilat prej kohësh kanë refuzuar të hyjnë në një program për heqjen e vizave me Izraelin, pjesërisht, sepse Izraeli i trajton palestinezo-amerikanët ndryshe nga qytetarët e tjerë amerikanë. Departamenti i shtetit ka njoftuar se po studionte procedurat e reja dhe “po angazhohej me autoritetet për t’i kuptuar kërkesat e tyre”.

COGAT ka bërë të ditur se procedurat e zyrtarizojnë procesin e aplikimit dhe e zgjerojnë “gamën e qëllimeve të lejuara për të hyrë në zonë”. Ai tha se procedurat janë pjesë e një programi pilot dyvjeçar dhe se “pjesë të caktuara” tashmë janë duke u rivlerësuar.
Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe palestinezët duan që në këtë territor të formojnë pjesën kryesore të shtetit të tyre të ardhshëm. Politika e re i referohet territorit si Judea dhe Samaria, emri biblik i favorizuar nga nacionalistët izraelitë, duke e përfshirë kryeministrin Naftali Benett, të cilët e konsiderojnë atë qendrën historike të popullit hebre.
Problemet e palestinezëve
Palestinezët nga jashtë që dëshirojnë ta vizitojnë Bregun Perëndimor do të duhet të listojnë emrat dhe numrat e identifikimit të anëtarëve të familjes – dhe thonë se ata vetë zotërojnë pronë në Bregun Perëndimor apo do ta trashëgojnë ndonjë dikur. Shumë kanë frikë se kjo mund të hapë rrugë që toka e tyre të kapet nga kolonët.
“Është sikur po informoni familjen ose miqtë tuaj që po i vizitoni. Mund të jepni informacion që do t’i hapte rrugën Izraelit për ta vjedhur pronën tuaj”, është shprehur Ahmed Abofoul, avokat ndërkombëtar me grupin e të drejtave të njeriut Al-Haq.
Numër i kufizuar

Politika do ta kufizonte numrin e profesorëve vizitorë në 100 dhe numrin e studentëve në 150. Një pedagoge vizitore duhet ta bindë zyrtarin ushtarak izraelit se ajo “kontribuon ndjeshëm në mësimin akademik, në ekonominë e zonës ose në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe paqes”, thuhet në politikë.
Në vitin 2020, 366 studentë e pedagogë evropianë kanë siguruar grante për të studiuar ose për të dhënë mësim në Bregun Perëndimor përmes programit të shkëmbimit Erasmus+ të BE-së. Më shumë se 1.800 izraelitë studiuan në Evropë në të njëjtin program atë vit. Zyra përfaqësuese e BE-së në Jerusalem nuk pranoi të komentojë mbi procedurat e reja.
COGAT ka thënë se kuotat zbatohen për mësuesit dhe studentët që duan të qëndrojnë më gjatë se një semestër dhe do të “rivlerësohen herë pas here”.
Pothuajse të gjithë të huajt, përfshirë ata në sektorin privat, do të detyrohen të largohen pas 27 muajsh dhe më pas të presin nëntë muaj të tjerë përpara se të riaplikojnë për hyrje. Ato do të kufizoheshin në një total prej pesë vjetësh në territor, duke e bërë praktikisht të pamundur punësimin afatgjatë. Vullnetarët e miratuar nga ushtria izraelite mund të vijnë për 12 muaj, por më pas do të duhet të presin edhe një vit përpara se të aplikojnë për rihyrje.
Universiteti i Birzeit, një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë në Bregun Perëndimor, ka theksuar se politika “i vë universitetet palestineze nën rrethim dhe ua heq atyre kontrollin bazë mbi vendimet e tyre akademike”.
Rregullat nuk zbatohen për institucionet izraelite, duke përfshirë Universitetin Ariel, i cili është ndërtuar në një vendbanim të gjerë thellë brenda Bregut Perëndimor.
Për mijëra të huaj, që janë martuar me palestinezë dhe kanë krijuar familje në Bregun Perëndimor, politika kërcënon të ndërlikojë më tej një jetë tashmë të pasigurt në të cilën ata mund të ndahen nga familjet e tyre në çdo kohë.
Izraeli, i cili kontrollon regjistrin e popullsisë, rrallëherë miraton kërkesat për qëndrim të paraqitura përmes Autoritetit Palestinez, i cili e ka kufizuar vetëqeverisjen në pjesë të Bregut Perëndimor.
Sipas rregullave të reja, shumica e bashkëshortëve të huaj do të mund të hynin në Bregun Perëndimor vetëm me leje vizitorësh të vlefshme për tre deri në gjashtë muaj. Pastaj ata do të duhet të largohen për gjashtë muaj – pa marrë parasysh nëse kanë punë apo fëmijë në shkollë. Një numër i vogël mund të kualifikohet për leje bashkëshortore të rinovueshme deri në 27 muaj.