Botë

Lideri çeçen i sigurt: Rusia sot do ta pushtojë Mariupolin

Rusia do ta pushtojë sot qytetin port të Ukrainës, Mariupol, ka thënë lideri çeçen Ramzan Kadyrov të enjten. Deklarata e Kadyrovit vjen pasi Kievi paralajmëroi se forcat e tij nuk janë në gjendje të rezistojnë edhe shumë gjatë, bën të ditur Sky News.

Qyteti jugor, Mariupol ka qenë një objektiv kyç për Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë pothuajse dy muaj më parë.

Rezistenca e fundit në këtë qytet është e bazuar rreth fabrikës së çelikut Azovstal, ku rreth 1000 civilë janë strehuar nga sulmet me granata dhe raketa.

Kadyrov, kreu i republikës ruse të Çeçenisë, forcat e së cilës po luftojnë në Ukrainë, ka thënë se Mariupoli do të bjerë sot [të enjten].

"Para drekës ose pas drekës, Azovstal do të jetë plotësisht nën kontrollin e forcave të Federatës Ruse", ka thënë ai.

Komandanti i marinës ukrainase Serhiy Volny paralajmëroi se ushtarët në fabrikë mund të mos jenë në gjendje të "rezistojnë për shumë më gjatë".

“Njësitë armike janë dhjetëra herë më të mëdha se tonat, kanë dominim në ajër, në artileri, në trupa tokësore, në pajisje dhe në tanke”, ka thënë ai.

Rënia e qytetit do të shënonte fitoren më të madhe të luftës së Moskës deri më tani.