Botë

Danimarka do të dëbojë 15 diplomatë rusë

Danimarka ka njoftuar të martën se do të dëbojë 15 diplomatë rusë, në përputhje me hapat e ndërmarrë nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, pas raportimeve për gjetjen e varreve masive dhe për vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas, Bucha, shkruan Reuters.

“Ky është shembull tjetër i brutalitetit, mizorisë dhe krimeve të luftës që kanë ndodhur në Bucha”, ka thënë ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod në një konferencë për shtyp.

Kjo masë vjen pasi disa vende tjera të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, thanë të hënën se do të dëbojnë diplomatët rusë.

Moska, e cila pretendon se imazhet e civilëve të ekzekutuar në Bucha ishin produkte të rreme të propagandës ukrainase dhe perëndimore që synonte diskreditimin e Rusisë, tha se do të hakmerrej për dëbimin, raportoi RIA Novosti.

Ministria e Jashtme daneze tha se nuk dëshiron të ndërpresë lidhjet diplomatike me Moskën dhe se ambasadori rus dhe pjesa tjetër e ambasadës nuk ishin pjesë e dëbimit.

Shërbimi danez i Sigurisë dhe Inteligjencës tha në një raport në fillim të këtij viti se ambasada ruse kishte punësuar disa oficerë të inteligjencës të përfshirë në spiunazh.

“Ne duam t'i dërgojmë sinjal të qartë Rusisë se spiunazhi në tokën daneze është i papranueshëm”, tha Kofod.