Botë

Harris insiston: Trupat amerikane nuk do të luftojnë në Ukrainë

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka ripërsëritur se trupat amerikane nuk do të dërgohen për të luftuar në Ukrainë. Por, ajo ka shtuar se do të vazhdojë ndihma e SHBA-së ndaj Ukrainës.

Harris ka paralajmëruar se trupat amerikane do të jenë në gatishmëri për të mbrojtur çdo centimetër tokë të aleatëve të NATO-s.

“Ajo që nuk do të bëjmë dhe duhet të thuhet po ashtu, siç e ka përsëritur vazhdimisht presidenti Biden, është se nuk do të dërgojnë trupat amerikane në Ukrainë për të luftuar me rusët. Por, jemi në gatishmëri të mbrojmë aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe do të bëjmë këtë”, tha Harris, në intervistë për NBC.

Harris ka thënë se aleatët do të vazhdojnë të bëjnë rivlerësimin e sanksioneve e të vendosin edhe sanksione shtesë ndaj Rusisë.

Ndërsa sa i përket efektit të sanksioneve ajo ka thënë se po vërehet.

“Rubla është në rënie të lirë”, ka thënë Harris.

Harris ka përgëzuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, për guximin e jashtëzakonshëm.

Ajo ka folur edhe për sulmet e forcave ruse ndaj civilëve dhe se po bëhet shkelje e madhe e të drejtës ndërkombëtare.

Harris pati një mesazh edhe për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Ajo që historia do të tregojë është se Vladimir Putin do të përfundojë duke e forcuar NATO-n dhe duke dobësuar Rusinë”, tha Harris.