Botë

OBSH: Për 10 javë të përhapjes së Omicronit, rastet me COVID u rritën

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të martën se 90 milionë raste të koronavirusit janë raportuar që kur varianti Omicron u identifikua për herë të parë 10 javë më parë – duke arritur në më shumë se në të gjithë vitin 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19.

Me shumë vende që lehtësojnë masat e tyre kufizues, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanon Ghebreyeus, paralajmëroi se Omicron nuk duhet nënvlerësuar edhe pse ka treguar se sjell sëmundje më pak të rënda se variantet e mëparshme - dhe përmendi "një rritje shumë shqetësuese të vdekjeve në shumicën e rajoneve të botës”.

“Ne jemi të shqetësuar që në disa vende ka zënë vend një tregim që për shkak të vaksinave – dhe për shkak të transmetueshmërisë së lartë të Omicron-it dhe ashpërsisë më të ulët – parandalimi i transmetimit nuk është më i mundur dhe nuk është më i nevojshëm”, tha ai në një konferencë të rregullt të OBSH-së për pandeminë.

“Është e parakohshme që çdo vend ose të dorëzohet ose të shpallë fitoren. Ky virus është i rrezikshëm dhe vazhdon të evoluojë para syve tanë”.

OBSH tha se katër nga gjashtë rajonet e saj në mbarë botën po shohin tendenca në rritje në vdekje, raporton AP.

Shumë vende evropiane kanë filluar të lehtësojnë masat e bllokimit, duke përfshirë Britaninë, Francën, Irlandën dhe Holandën. Finlanda do t'i japë fund kufizimeve të saj për COVID-19 këtë muaj.