Botë

Pse Putini është fiksuar në NATO-n

Të kuptosh se çfarë po mendon dhe planifikon Vladimir Putin është sfiduese, për të mos thënë, shumë pak e munshme. Kështu i pëlqen Kremlinit: t'i mbajë të gjithë të hamendësojnë.

Cili është plani i Presidentit Putin për Ukrainën? Moska po përgatit një pushtim të plotë? Një operacion më i kufizuar? Apo është thjesht një diplomaci?

Pjesët e enigmës që ne kemi, po shkaktojnë shqetësim në Perëndim:

Rreth 100,000 trupa ruse u grumbulluan pranë kufirit të Ukrainës

Vargu i stërvitjeve ushtarake që Moska ka nisur në tokë dhe në det

Stërvitjet e ardhshme ushtarake bjelloruse-ruse

Kremlini lëshon kërkesat që me siguri e dinte se SHBA-ja do t’i refuzonte (si ndalimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, fundi i aktivitetit ushtarak të NATO-s në Evropën Lindore)

Pohimi i Presidentit Putin se rusët dhe ukrainasit janë "një popull, një tërësi e vetme"

Washingtoni tani i është përgjigjur me shkrim kërkesave të Moskës për sigurinë. Kremlini thotë se do të analizojë reagimin e Amerikës.

Ndërkohë, bisedat e ashpra vazhdojnë.

"Mos e vendosni infrastrukturën e NATO-s në territorin ukrainas. Ne kërkojmë nga 'partnerët' tanë në vendet e NATO-s të largohen. Largohuni nga kufijtë tanë. Dilni nga vendet post-sovjetike, sepse është kërcënuese për popullin rus", thotë Yevgeny Popov

Popov, i cili drejton një talk shoë në televizionin shtetëror, është gjithashtu një deputet nga partia e pushtetit, Rusia e Bashkuar.

Publikisht, zyrtarët rusë insistojnë se NATO është rrezik për sigurinë nacionale të Rusisë.

Por, në të vërtetë nuk është shumë e besueshme që Moska i sheh si kërcënim aleancën.

Vetëm 6 përqind e kufijve të Rusisë prekin shtetet e NATO-s; Kremlini ka marrëdhënie të mira me disa anëtarë të NATO-s, si Italia dhe Hungaria; madje i ka shitur sistemet e armëve Turqisë, anëtare e NATO-s, shkruan BBC.

Plus, nuk ka asnjë shenjë që Ukraina, Gjeorgjia apo ndonjë shtet ish-sovjetik të pranohet në NATO në një të ardhme të afërt.

Pra, pse Kremlini po fiksohet në NATO-n?

Pjesërish për arsye të brendshme: që ta bëjë popullin rus të bashkohet kundër një armiku të jashtëm të supozuar.

Por gjithashtu, ndoshta si një justifikim për ta shfrytëzuar këtë moment për ta riformuar rendin evropian të sigurisë në dobi të Moskës; të rivendosë sferën e ndikimit të Rusisë dhe të përpiqet të rishkruajë rezultatet e Luftës së Ftohtë.

“Putini beson se Perëndimi e shfrytëzoi dobësinë e Rusisë në vitet 1990, se Rusia nuk ishte trajtuar drejtë dhe nuk mori atë që merionte. Ai do që ta ndryshojë këtë”, beson Andrei Kontrunov, drejtor i Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, raporton BBC.

Pra, cili do të jetë hapi tjetër i Moskës?

Tani vetëm mund të hamendësohet. Mund të varet në atë nëse oferta e Amerikës për të negociuar me Rusinë në disa aspekte për sigurinë evropiane, do të jetë e mjaftueshme për ta kënaqur Vladimit Putinin.

Nëse nuk është, nëse lideri i Kremlinit është i vendosur ta shpërbëjë arkitekturën aktuale të sigurisë evropiane, konfrontimi ushtarak është i mundshëm dhe grindje afatgjate mes Lindjes dhe Perëndimit.