Botë

Gazetarja meksikane që kishte frikë për jetën e saj, vritet në Tijuana

Descriptive Text

Gazetarja Lourdes Maldonado Lopez u vra të dielën në qytetin kufitar të Tijuana në veri të Meksikës, duke shënuar vrasjen e tretë të një gazetari në vend në dy javë.

Lopez u qëllua për vdekje brenda një veture në lagjen Santa Fe të Tijuanas, sipas një deklarate të së dielës nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Baja California.

Hetimi mbi ngjarjen është duke u zhvilluar.

Lopez mbulonte fushën e korrupsionit dhe politikën dhe kishte qenë viktimë e sulmeve të mëparshme për punën e saj, sipas organizatës për të drejtat e njeriut, anëtar i së cilës ishte ajo.

Në mars 2019, Lopez i tha presidentit të Meksikës Andres Manuel Lopez Obrador në konferencën e tij të përditshme për shtyp se ajo kishte frikë për jetën e saj dhe kërkoi "mbështetjen, ndihmën dhe drejtësinë e punës".

Lopez po fliste për një mosmarrëveshje pune që kishte me Jaime Bonilla, i cili zotëron median PSN ku Lopez kishte punuar më parë. Lopez kishte paditur kompaninë për largim të padrejtë nga puna. Bonilla u betua si guvernator i Baja California në nëntor të vitit 2019 pasi zhvilloi një fushatë të suksesshme si kandidat i partisë Morena në pushtet të Lopez Obrador.

Vetëm disa ditë para se të vritej, ajo fitoi gjyqin.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka thënë në një postim në Twitter se janë "të tronditur" nga vrasja e Lopez dhe u bëri thirrje autoriteteve që "të hetojnë në mënyrë të plotë dhe transparente sulmin".