Botë

Birmania i rikthehet “strategjisë së masakrave dhe tokës së djegur”

Një burrë 42-vjeçar tha se një grup kërkimi prej 50 fshatarësh gjeti tri grupe të ndara trupash. Disa dukej se ishin tërhequr zvarrë për vdekje përgjatë tokës shkëmbore me litarë ose me rrobat e tyre. Trupat ishin plaçkitur për ar. “Kishte disa mbetje mishi dhe kundërmimi ishte i tmerrshëm”, tha fshatari. “As nuk mund të afroheshim për shkak të erës”

Kur fermeri i ri u kthye në fshatin e tij në Birmani, gjeti kufomat që ende po digjeshin në një kasolle të djegur, madje disa me gjymtyrët e tyre të lidhura.

Ushtria e Birmanisë kishte sulmuar Done Taun në orën 11:00 më 7 dhjetor, me rreth 50 ushtarë duke i ndjekur njerëzit në këmbë, tha ai për AP-në. Fermeri dhe banorët e tjerë ikën në pyje e fusha, por 10 prej tyre u zunë dhe u vranë, duke përfshirë pesë të rinj ku njëri prej tyre ishte 14 vjeç, shtoi ai. Një foto e bërë nga një shok i tij, tregon pjesët e djegura të një viktime të shtrirë me fytyrë përtokë, gjë që na lë të sugjerojmë që ishte djegur për së gjalli.

Taktika e tokës së djegur

“Jam shumë i shqetësuar, është e papranueshme”, tha një 19-vjeçar, i cili njëjtë si të intervistuarit e tjerë të AP–së, kërkoi që të mbetet anonim për shkaqe sigurie.

Masakra në Done Tau është vetëm njëra nga shenjat e kohëve të fundit që Ushtria e Birmanisë po i rikthehet një strategjie të përdorimit të masakrave si armë lufte, sipas një hulumtimi të AP-së i bazuar në intervista me 40 dëshmitarë, rrjete sociale, imazhe satelitore dhe ta raportet e vdekjeve.

Masakrat dhe taktika e tokës së djegur - si rrënimi i një fshati të tërë - shfaqin përshkallëzimet më të fundit të dhunës së ushtrisë ndaj civilëve dhe opozitës në ngritje. Qëkur ushtria mori pushtetin në shkurt, ka treguar më shumë brutalitet, duke rrëmbyer të rinj, duke vrarë punonjës të kujdesit shëndetësor dhe duke i torturuar të burgosurit.

Masakrat dhe djegiet gjithashtu shënojnë një rikthim në praktikat që ushtria për një kohë të gjatë i ka përdorur ndaj pakicave etnike si rohingya myslimane, ku me mijëra u vranë më 2017. Tani, ushtria po akuzohet për vrasjen e së paku 35 civilëve në prag të Krishtlindjeve në fshatin Mo So, fshat i pakicës karenni. Një dëshmitar tha për AP-në se shumë trupa të burrave, grave dhe fëmijëve janë aq shumë të djegur sa që është e pamundur të identifikohen.

Image

Vrasje masive

Por kësaj here, ushtria po i përdor të njëjtat metoda edhe ndaj fshatrave të saj me shumicë etnike budiste bamar. Fokusi i shumicës së vrasjeve të fundit ka qenë në veriperëndim, duke përfshirë një qendër të bamarit ku opozita përkrahet tej mase.

Më shumë se 80 njerëz janë vrarë vetëm në rajonin Sagaing që nga muaji gusht, sipas hulumtimeve të bëra nga Asociacioni për Ndihmesë për të Burgosurit Politikë (AAPP), grup që monitoron arrestimet dhe vdekjet e verifikuara në Birmani. Këtu përfshihen vdekjet në Done Tau, pesë njerëz në fshatin Gaung Kual më 12 dhjetor dhe nëntë në qytezën Kalay më 23 dhjetor, gjë që e kanë bërë Sagaingun rajonin më vdekjeprurës në Birmani.

Ushtria gjithashtu po përsërit një taktikë karakteristike për shkatërrimin e tërë të fshatrave që përkrahin opozitën. Imazhet satelitore që AP-ja i ka siguruar nga Teknologjitë Maxar tregojnë që më shumë se 580 objekte janë djegur vetëm në qytetin veriperëndimor Thantland që nga shtatori.

Dhuna duket të jetë një përgjigje ndaj forcave rezistuese lokale që shfaqen në të gjithë vendin, por ushtria po i vret civilët gjatë procesit. Për shembull, në Done Tau, ushtria hyri pasi një autokolonë goditi një bombë në anë të rrugës aty pranë, por njerëzit që u vranë nuk ishin pjesë e ndonjë grupi, tha një tjetër banor për AP-në.

“Ata ishin punonjës të thjeshtë në plantacionin”, tha saldatori 48 vjeç. “Ata u fshehën sepse ishin të frikësuar”.

Për hulumtime, AP-ja bisedoi me dhjetëra dëshmitarë, pjesëtarë të familjeve dhe me një komandant ushtarak që dezertoi grupe të të drejtave të njeriut dhe zyrtarë, së bashku me analizimin e raporteve të vdekjeve nga AAPP. AP-ja gjithashtu rishikoi imazhet satelitore dhe dhjetëra fotografi e video me ekspertë që i kontrollonin ato kundrejt vendndodhjeve dhe ngjarjeve të njohura.

Image

Krime sistematike

Shifrat ka të ngjarë të jenë shumë më të ulëta se vrasjet aktuale për arsye se këto vrasje kryhen në vende të thella dhe ushtria i fshin informatat në lidhje me to duke kufizuar qasjet në internet dhe duke kontrolluar telefonat.

“Ngjarje të tilla po ndodhin në tërë vendin, sidomos në veriperëndim të Birmanisë”, tha Kyau Moe Tun për AP-në, i cili refuzoi ta lëshonte pozitën e tij si i dërguari i Birmanisë në Kombet e Bashkuara pasi ushtria mori pushtetin. “Shikoni modelin, shikoni mënyrën se si ka ndodhur… është sistematike dhe e përhapur”.

Ushtria, e njohur si Tatmadau, nuk iu përgjigj pyetjeve as me telefon e as me email. Tri ditë pas sulmit në Done Tau, gazeta shtetërore Global Neë Light e Birmanisë hodhi poshtë raportet për vrasjet si "lajme të rreme", duke akuzuar vendet e paidentifikuara se "dëshironin të shpërbënin Birmaninë" duke nxitur gjakderdhje.

“Natyra se sa i pacipë ishte ky sulm tregon me të vërtetë shkallën e dhunës që mund të presim në muajt e ardhshëm dhe veçanërisht vitin e ardhshëm”, tha Manny Maung, hulumtues për “Human Rights Watch”.

Analizat e bëra nga AP-ja tregojnë se vetëm në javën e masakrës së Done Tau, ushtria vrau edhe 20 persona më shumë në Sagaing. Më 17 dhjetor, ushtarët vranë nëntë persona, duke përfshirë një fëmijë, tha një dëshmitar për AP-në në qytezën Gantgau afër rajonit Magway, duke konfirmuar të dhënat e AP-së. Trupat që u sollën me helikopterë e zaptuan fshatin për dy ditë dhe ata që kishin ikur, u kthyen për të gjetur, identifikuar dhe djegur trupat e kalbur, tha dëshmitari.

Ashpërsimi i sulmeve

Lëvizja e trupave sugjeron se dhuna në veriperëndim do të rritet. Sipas një grupi opozitar, dy autokolona ushtarake me më shumë se 80 kamionë secila me trupa dhe furnizime nga Sagaing kanë arritur në shtetin fqinj Chin. Një ish-kapiten ushtarak i tha AP-së se ushtarët në shtetin Chin u furnizuan dhe u përforcuan në tetor dhe ushtria tani po grumbullon municione, karburant dhe racione në Sagaing.

Kapiteni, i cili quhet Zin Yau, është veteran ushtarak 20 vjeçar që dezertoi në mars dhe tani stërvit forcat e opozitës. Ai tha se vazhdon të marrë përditësime nga miqtë që i ka në ushtri dhe ka akses në dokumentet e mbrojtjes, disa prej të cilave i ndau me AP-në. Identiteti i tij u verifikua edhe nga një organizatë dezertorësh ushtarakë.

“Gjëja që ushtria brengoset më së shumti është dorëzimi i pushtetit të tyre”, tha Zin Yau. “Ushtria e ka një thënie: nëse tërhiqesh, shkatërro gjithçka. Kjo do të thotë që edhe nëse ata e dinë se do të humbasin, shkatërrojnë gjithçka”.

Tatmadau përmbysi të popullarizuarën Aung San Suu Kyi në shkurt, duke deklaruar për mashtrim masiv në zgjedhjet demokratike të 2020-ës që partisë së saj i sollën fitore dërrmuese. Që atëherë, sipas AAPP-së, ushtria dhe policia kanë vrarë më shumë se 1.375 persona dhe arrestuar më shumë se 11.200.

Sipas një raporti të HRW-së, një ndër vrasjet masive më të hershme ndodhi më 14 mars në qytezën Hlaing Yharyar në Yangon, qyteti më i madh në Birmani. Dëshmitarët treguan se forcat e sigurisë qëlluan mbi protestuesit me armë ushtarake dhe vranë të paktën 65 persona, përfshirë kalimtarë.

Lëvizja e mosbindjes civile

Pasi që taktikat e ushtrisë janë bërë gjithnjë e më brutale, civilët janë kundërpërgjigjur. Opozita filloi me një lëvizjeje kombëtare të mosbindjes civile dhe protesta, por është bërë gjithnjë e më e dhunshme me sulmet ndaj trupave dhe objekteve qeveritare.

Në maj, opozita e Qeverisë së Unitetit Kombëtar shpalli një krah të ri ushtarak, Forcën e Mbrojtjes së Popullit dhe në shtator shpalli "luftën mbrojtëse”. Grupet guerile të lidhura me njëra-tjetrën që e quajnë veten PDF, janë shfaqur që atëherë në të gjithë vendin, me shkallë të të ndryshme besnikërie ndaj NUG-it. Në korrik qarkulluan imazhe të masakrave në katër fshatra të vegjël që ambasadori i Birmanisë në Kombet e Bashkuara i quajti "krime kundër njerëzimit". Katër dëshmitarë i thanë AP-së se ushtarët vranë 43 njerëz në katër incidente dhe i hodhën trupat e tyre në xhungël.

Më 9 korrik ushtarët me kamionë hynë në fshatin Yin në Kani, duke nisur një sulm që do të linte 16 të vdekur, sipas tre dëshmitarëve. Ushtarët filluan të qëllonin dhe i larguan njerëzit. Trupat rrethuan një grup njerëzish në xhunglën aty pranë, tha një grua që ishte zënë me vëllain e saj nga ushtria.

Ajo u lirua, por kurrë nuk do ta shihte më vëllain gjallë. Kur ajo u kthye me të tjerët tre ditë më vonë, ata gjetën trupin e tij në pyll, që tashmë qe kalbur nga vapa dhe kishte shenja që tregonin se ishte torturuar.

“Të gjithë jetojmë me frikë”

“Të gjithë jetojmë me frikë”, tha gruaja, e cila si fshatarët e tjerë kërkoi të mbetet anonime për siguri. "Ne jemi të shqetësuar se ata mund të kthehen gjatë natës”.

Një burrë 42-vjeçar tha se një grup kërkimi prej 50 fshatarësh gjeti tri grupe të ndara trupash. Disa dukej se ishin tërhequr zvarrë për vdekje përgjatë tokës shkëmbore me litarë ose me rrobat e tyre. Trupat ishin plaçkitur për ar.

“Kishte disa mbetje mishi dhe kundërmimi ishte i tmerrshëm”, tha fshatari. “As nuk mund të afroheshim për shkak të erës”.

Fshati tani është i terrorizuar në heshtje, tha ai, duke pritur sulmin e radhës me valixhet e tyre të bëra gati, derisa njerëzit po jetojnë me frikë pa shpresë për kthimin e normalitetit të jetës.

Përktheu: Shukrie Sadiku