OKB-ja lanson programin e ndihmës për 28 milionë afganë
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur të martën lansimin e një programi prej pesë miliardë dollarësh ndihmë Afganistanit, me shpresë se do të ndihmojë parandalimin e kolapsit total të shërbimeve themelore në vend.
Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se prejse talebanët morën pushtetin në gusht, rreth 22 milionë qytetarë afganë kanë mbetur pa asistencë themelore. Janë më shumë se 5.7 milionë të tjerë që po kërkojnë ndihmë jashtë vendit. OKB-ja ka njoftuar se thirrja për ndihmë do të jetë më e madhja që ndonjëherë është lansuar për ndonjë vend në krizë humanitare.
Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se 4.4 miliardë dollarë do të shkojnë për dhënien e pagave punëtorëve të shërbimeve themelore në Afganistan. Miliarda dollarë amerikanë të Afganistanit janë ngrirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kushtëzojnë talebanët me kthimin e rendit dhe respektimin e të drejtave të njeriut për kthimin e tyre.