Botë

Britania miraton pilulën e Pfizerit kundër COVID-19

Britania e Madhe ka miratuar pilulën COVID-19 të Pfizer-it për pacientët mbi moshën 18 vjeç, të cilët kanë infeksion të lehtë deri në mesatar, dhe janë në rrezik të lartë të përkeqësimit të sëmundjes së tyre.

Miratimi vjen ndërsa vendi përpiqet të ndërtojë mbrojtjen e tij mes një rekord ditor të rasteve të reja me COVID-19 të enjten.

Bazuar në të dhënat, pilula, Paxlovid, është më efektive kur merret gjatë fazave të hershme të COVID-19, ka thënë të premten Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore të Britanisë (MHRA), duke rekomanduar që ilaçi të përdoret brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave.

Pfizer këtë muaj ka thënë se Paxlovid tregoi pothuajse 90% efikasitet në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë, dhe të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi ruan efektivitetin e tij kundër variantit Omicrontë koronavirusit, të përhapur me shpejtësi.

“Tani kemi një ilaç tjetër antiviral për trajtimin e COVID-19 që mund të merret nga goja në vend që të administrohet intravenoz. Kjo do të thotë se mund të administrohet jashtë një mjedisi spitalor”, ka thënë në një deklaratë shefi i MHRA-së, June Raine.