Botë

3 ditë para afatit të Trumpit, Rusia përshkallëzon sulmet në Ukrainë

Ukrianë

Një person ka humbur jetën teksa 10 të tjerë janë plagosur, prej tyre dy fëmijë, si pasojë e sulmeve ajrore ruse mbi qytetin ukrainas, Lozova, në orët e hershme të së martës, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Sulmi masiv ka dëmtuar stacionin e trenit dhe pjesë të tjera të infrastrukturës së qytetit, si dhe një nyje transporti në rajonin e Kharkivit që kufizohet me Rusinë, ka bërë të ditur operatori shtetëror hekurudhor, ka shkruar Reuters.

Fotot e shpërndara nga shërbimet emergjente kanë treguar një tren të dëmtuar dhe rrënoja që mbulonin platformën e tij.

“Infrastruktura kritike, ndërtesat e banimit dhe shtëpitë private janë dëmtuar…Lozova është përballur me sulmin më të madh që prej fillimit të luftës”, ka shkruar kryetari i këshillit komunal, Serhiy Zelenskiy, në rrjetin social Telegram.

Dy fëmijë janë plagosur gjatë sulmit që la shumë pjesë të rajonit pa energji elektrike dhe ujë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se Rusia ka sulmuar infrastrukturën civile në Lozova me të paktën 25 dronë, duke dëmtuar një depo dhe një stacion.

Forcat Ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar 29 nga 46 dronët që Rusia i ka lëshuar gjatë natës në mbarë vendin.

Ndërkohë, afati i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përfundon të premten e kësaj jave, lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë në rast se ajo s’i ndalon bombardimet ndaj rajoneve e qyteteve ukrainase është duke u afruar gjithnjë e më shumë.

E përveç Federatës Ruse, sanksionet dhe masat e tjera ekonomike të paralajmëruara nga Trumpi, do të godasin edhe ato shtete të cilat blejnë naftë dhe gaz natyror rus, ndër të cilat janë India dhe Kina.