Rasti i dytë me variantin Omicron të COVID-19 në SHBA është zbuluar në Minesota, tha të enjten Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit, një ditë pasi u zbulua edhe rasti i parë.
I infektuari është një mashkull mbi 18-vjeç. Ai ishte vaksinuar.
Ai i tha Departamentit të Shëndetit të Minesotës se kishte udhëtuar në qytetin e New Yorkut për të marrë pjesë në kongresin Anime NYC 2021 në Qendrën Javits më 19-21 nëntor. Ai kishte simptoma të lehta më 22 nëntor, por ishte shëruar.
Guvernatori Tim Walz tha se "lajmi është shqetësues, por nuk është një surprizë".
Varianti Omicron ka një numër të lartë mutacionesh që sugjerojnë se mund të përhapet po aq ose më lehtë sesa varianti Delta, i cili përbën 99.9 për qind të rasteve me COVID-19 në SHBA.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se është ende e paqartë nëse Omicron është më i rrezikshëm se versionet e tjera të virusit që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 5 milionë njerëzve në mbarë botën. Nuk dihet gjithashtu se sa mirë do të funksiononin vaksinat dhe trajtimet kundër variantit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se rreziku global i variantit të ri është "shumë i lartë".