Gjermania kaloi pragun e 100,000 vdekjeve si pasojë e COVID-19 të enjten, me një rritje të infeksioneve që përbën një sfidë për Qeverinë e re.
351 persona të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi të enjten, duke e çuar totalin që nga fillimi i pandemisë në 100,119, treguan të dhënat nga Instituti Robert Koch për sëmundjet infektive.
Ndërkohë, numri i rasteve të reja ditore ka shënuar një rekord të ri prej 75,961.
"Dita në të cilën ne duhet të mbajmë zi për 100,000 viktima të koronavirusit është një ditë e trishtuar," ka thënë kancelarja në largim Angela Merkel në një konferencë shtypi.
Ajo u bëri thirrje pasardhësve të saj që të veprojnë me shpejtësi për të vendosur masa të mëtejshme distancuese sociale për të thyer kurbën e rritjes eksponenciale të virusit.
“Njerëzit që sëmuren sot janë në thelb pacientët e kujdesit intensiv prej 10 deri në 14 ditë. Kështu që është thelbësore që të sigurohemi që spitalet tona të mos mbingarkohen”, ka shtuar ajo.
Spitalet në disa zona, veçanërisht në Gjermaninë lindore dhe jugore, janë nën presion dhe virologu kryesor Christian Drosten paralajmëroi se 100,000 të tjerë mund të vdesin nga pandemia.
Qeveria e ardhshme trepartiake e Gjermanisë, e cila njoftoi marrëveshjen e saj për koalicionin të mërkurën, ka thënë se do të krijonte një ekip ekspertësh që do të vlerësonin situatën në baza ditore.
Bashkëkryetarja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock ka thënë se qeveria e re, e përbërë nga Social Demokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), i kishte caktuar vetes 10 ditë për të vendosur nëse nevojiten kufizime të mëtejshme.
Pjesa më e madhe e Gjermanisë ka vendosur tashmë rregulla për të kufizuar aksesin në aktivitetet e brendshme për njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar.
Me një normë vaksinash prej vetëm 68.2%, shumë prapa disa vendeve evropiane si Portugalia dhe Spanja, kancelari në pritje Olaf Scholz premtoi të rrisë vaksinat dhe nuk përjashtoi që ta bëjë vaksinimin të detyrueshëm.
Numri i njerëzve që kërkojnë vaksinime është rritur në ditët e fundit, me 795,386 që u vaksinuan të mërkurën, megjithëse shumica, apo 626,535 ishin doza përforcuese.