Dhjetëra miliona amerikanë të cilët punojnë në kompani me 100 e më shumë të punësuar, do të obligohen të vaksinohen plotësisht kundër COVID-19, ose të testohen çdo javë, sipas rregullave të reja të vendosura nga Qeveria amerikane të enjten, e të cilat do të hyjnë në fuqi nga 4 janari i vitit 2022.
Kërkesat e reja janë lëvizja më e guximshme e administratës së Bidenit për të bindur amerikanët ngurrues që më në fund të marrin një vaksinë, që ka qenë gjerësisht e disponueshme për muaj të tërë, ose të përballen me pasoja financiare.
Nëse kjo rezulton e suksesshme, zyrtarët e administratës besojnë se do të shkojnë shumë shpejt drejt përfundimit të një pandemie që ka vrarë më shumë se 750,000 amerikanë.
Parashikuar për herë të parë nga Presidenti Joe Biden në shtator, kërkesat do të zbatohen për rreth 84 milionë punëtorë në bizneset e mesme dhe të mëdha, megjithëse nuk është e qartë se sa prej këtyre punonjësve janë të pavaksinuar.
Rregulloret e Administratës së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) do t'i detyrojnë kompanitë të kërkojnë që punëtorët e pavaksinuar të rezultojnë negativë për COVID-19 të paktën një herë në javë, dhe të mbajnë maskë derisa janë në vendin e punës.
OSHA-ja e ka lënë të hapur mundësinë që ta zgjerojë kërkesën e njëjtë edhe tek bizneset më të vogla. Ajo ka kërkuar të dijë nëse këto biznese kanë arritur ta menaxhojnë vaksinimin ose programet e testimit.
Rregulla më të ashpra do të zbatohen për 17 milionë njerëz të tjerë që punojnë në shtëpi pleqsh, spitale dhe objekte të tjera që marrin para nga Medicare dhe Medicaid. Ata punëtorë nuk do të kenë një mundësi për testim, ata do të duhet të vaksinohen. Ndërkohë, kërkesat nuk do të aplikohen për personat që punojnë nga shtëpia apo për ata që punojnë në hapësira të jashtme.