Botë

Erdogani urdhëron shpalljen non grata të 10 ambasadorëve të huaj

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur pas takimit se diplomatët “e kanë kaluar kufirin” e sjelljes së pranueshme diplomatike, duke e lëshuar një deklaratë që thërret për lirimin e Kavalas

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka urdhëruar të shtunën që të shpallen persona non grata 10 ambasadorë të shteteve të huaja që kanë bërë thirrje për lirimin e filantropit Osman Kavala.

Përfaqësuesit e shteteve perëndimore, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Francës dhe Gjermanisë në Ankara, nëpërmjet një deklarate gjatë javës, kanë bërë thirrje për zgjidhjen e rastit të Kavalas, që po mbahet në burg nga vitit 2017, ani pse nuk është dënuar për krime.

“Shtyrja e vazhdueshme e gjykimit të tij, me anë të përbashkimit të rasteve të ndryshme dhe krijimit të të rejave pas shfajësimit të mëhershëm, e vë në hije respektimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor të Turqisë”, thuhej në deklaratën e përbashkët të shteteve perëndimore.

Deklaratën e ambasadorëve të huaj e ka quajtur të turpshme dhe ka thënë se ata do të shpallen persona të padëshiruar nga Turqia.

“I kam dhënë instruksione ministrit tonë të Jashtëm dhe i kam thënë se ‘menjëherë duhet t’i shpallësh persona non grata këta dhjetë ambasadorë”, ka thënë Erdogani gjatë një tubimi të shtunën në qytetin Eskisehir.

“Ata do ta njohin, kuptojnë dhe mësojnë Turqinë. Në ditën kur nuk do ta njohin apo kuptojnë Turqinë, duhet të largohen”, ka shtuar ai. Shpallja persona non grata ndaj një diplomati do të thotë se atij i ndalohet të kryejë detyrën në shtetin nikoqir.

Image

 Osman Kavala është i burgosur që nga tetori i 2017-s dhe po gjykohet për një sërë akuzash, përfshirë atë për spiunazh dhe tentim puçin ndaj Erdoganit në vitin 2016

Diplomatët, në mesin e tyre ambasadorët e Holandës, Kanadasë, Danimarkës, Suedisë, Finlandës, Norvegjisë dhe Zelandës së Re, u ftuan për konsultime nga Ministria e Jashtme turke gjatë së martës.

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur pas takimit se diplomatët “e kanë kaluar kufirin” e sjelljes së pranueshme diplomatike, duke e lëshuar një deklaratë që thërret për lirimin e Kavalas.

“Kjo deklaratë tenton që ta politizojë procesin ligjor dhe t’i ushtrojë presion gjyqësorit turk, sundimit të ligjit dhe demokracisë, të cilat ambasadorët pretendojnë se po i mbrojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në shkurtin e 2020-s, një gjykatë turke e kishte shfajësuar Kavalan nga akuza se qëndronte prapa protestave të vitit 2013 në Gezi. Por vetëm disa orë pas këtij vendimi, prokurorët ngritën akuza të reja, duke e ngarkuar atë për pjesëmarrje në konspiracionin e imamit me strehim në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrimin e puçit të dështuar të 2016-s.

Ndërkaq “Al-Jazera” kujton se sivjet, rasti i Kavalas është bashkuar me atë të 51 të pandehurve të tjerë, përfshirë një grup të fansave të futbollit nga Stambolli, të akuzuar për tentim rrëzimin e dhunshëm të Qeverisë gjatë protestave të 2013-s.

Kavala është njëri prej aktivistëve më të njohur turq për të drejtat e njeriut dhe puna e tij është përqendruar në punët që ndërlidhen me marrëdhëniet Turqi-Armeni dhe të drejtat e pakicës kurde në vend.

64-vjeçari Kavala është i burgosur që nga tetori i 2017-s dhe po gjykohet për një sërë akuzash, përfshirë atë për spiunazh dhe tentim rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet përfshirjes së pretenduar në protestat e 2013-s në Gezi të Stambollit dhe tentim puçin ndaj Erdoganit në vitin 2016. Ai i ka mohuar të gjitha këto akuza.

Gjykimi kundër Kavalas ishte dënuar ashpër nga grupet turke dhe ato ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, teksa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e kishte urdhëruar lirimin e tij. Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë thënë se burgosja e tij është e motivuar politikisht.